Si kandidat për president, Joe Biden ka thënë se do të ndryshonte shumë nisma në politikën e jashtme të administratës Trump, të tilla si tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja ndërkombëtare dhe ka thënë se do të punonte në riparimin e marrëdhënieve transatlantike, që sipas Biden, kanë qenë çelësi i stabilitetit në Europë në 75 vjetët e kaluar.
Ish-nënpresident dhe senator, që ka shërbyer për pothuajse 50 vjet në Uashington, Biden beson se Shtetet e Bashkuara mund t’iu qasen më së miri kërcënimeve botërore duke udhëhequr aleanca të shteteve demokratike. Ai ka thënë se do të ndërmerrte “hapa të menjëhershëm” sapo ta merrte detyrën, që sipas tij do të forconin aleancat dhe që edhe “një herë, Amerika të udhëheqë me botën”.
Megjithatë, Biden do të përballet me probleme të mëdha të brendshme, në shtetin thellësisht të ndarë – përfshirë edhe pandeminë e koronavirusit, nivelin e lartë të papunësisë, tensionet racore dhe rritjen e pabarazisë – probleme këto, që sipas analistëve, mund ta detyrojnë atë që të vë në plan të dytë nismat sa i përket politikës së jashtme, raporton “REL”.
Analistët kanë thënë se administratës Biden mund t’i duhen disa muaj, që të kompletojë ekipin e saj për politikë të jashtme dhe të vendosë prioritete më specifike. Biden ka thënë se ai kërkon që të riparojë marrëdhëniet transatlantike, për të cilat, pasi, siç ka theksuar ai, presidenti Donald Trump i ka dëmtuar ato duke kritikuar vazhdimisht Bashkimin Europian dhe NATO-n, duke vendosur tarifa ndaj disa mallrave europiane dhe duke u tërhequr nga marrëveshje ndërkombëtare. Për dallim nga Trumpi, i cili më 2016 e quajti NATO-n “të vjetërsuar”, Biden e ka quajtur “aleancën më efektive politike-ushtarake në historinë moderne” dhe ka thënë se kjo aleancë duhet të qëndrojë e fortë teksa të adaptohet me kërcënimet e reja që vijnë nga Rusia.
Diskutime rreth kësaj post