Në Shqipëri gjërat që bëjnë bujë janë ato të gabuarat. Aq bujë sa bënë të mbathurat e Shukriut nuk e bëri skandali i Metës para pak kohësh me afera korruptive. Sepse ne skandalizohemi nga veshmbathjet e jo nga hajdutëria. Se përse jemi kaq sipërfaqësorë kanë ndikuar shumë faktorë, por më kryesori lidhet me një mungesë niveli ndërgjegjësimi kolektiv se kush janë vlerat e vërteta. Ja një shembull mbi një ngjarje të paralajmëruar:
Nëse ishit të vëmendshëm dje, dëgjuat një thashethemnajë mbi një ministër të qeverisë aktuale dhe për aferën e tij hipotetike me një masazhator/e, që rastësisht qëlloi të ishte transvestit apo gay apo pak rëndësi ka formimi seksual. Pra diçka më “e keqe” se Shukriu, që në fund të fundit mbi femër u lëshua “i ziu” se s’kishte parë ndonjëherë të tillë me sy.
E duke ngelur tek thashethemet, aludimet, parashikimet mbështetur në disa indicie që kushedi kush i hodhi, për çfarë arsye i hodhi apo ku donte të godiste, pa dalë akoma të vërtetat, shqiptarët u mblodhën në kuvendin e tyre për ta “llafosur” një herë këtë rast. Ububu-ja ç’ishte kjo e zezë që na ndodhi, ne nuk jemi pederast e transvestitë, jemi popull me tradita, na thoni kush është ky ministër i mallkuar ta mbysim me duart tona dhe kush është ky që na udhëheq pa pikë turpi. Ne e kemi për krenari të qeverisemi nga i korruptuari, por nga imorali kurrsesi.
Mbi nderin e shqiptarit nuk shkel dot askush, se na del nami nëpër botë që ministri jonë shkon me burra dhe na del boja ne shqiptarëve që mbahemi për hamshorë e kjo nuk durohet! Korrupsioni është lule përpara kësaj!
Në fakt pakkush u morr me thashethemin B (që nëse është i vërtetë) është për të ulëritur nga mëngjesi në darkë. Vlera për ta blerë këtë video që mos të transmetohej (sipas thashethemit) kishte kapur 2 milionë euro. Ku i gjeti ministri këto para? Ministri i cili nuk paguhet më shumë se 1000 euro në muaj ta blen kokën me miliona euro… Ky ishte thashethemi i cili ngeli në harresë dhe nuk iu dha rëndësi. Mjafton kjo e seksualitetit mos jetë e vërtetë, pa për korrupsionin merremi vesh. Me një dorëheqje kalon gjithçka. Jep dorëheqjen si fillim, bëhet gjyqi, del i pafajshëm, merr dëmshpërblim për burgim të padrejtë dhe histori përsëritëse që kurrë nuk ndryshuan.
Nuk e di nëse kjo video është e vërtetë dhe do dali ndonjë moment, por dua të di cilin ministër doni më shumë nëse do të duhet të zgjidhni: Ministrin “homo” apo të korruptuar? Veç një gjë është e sigurt, ministri po të jetë i korruptuar mundet ta fshehë çdo gjë, edhe homseksualitetin edhe vrasjen, edhe shtypjen edhe të zezat që ka mbi shpinë. E fsheh me 1 ose 2 milionë euro, sipas rastit. Ndaj unë të korruptuar nuk e dua, ndërsa për të tjerat ta zgjidhin “moralistët” që do kenë përrallën e radhës për tu marrë: Nga brekët e Shukriut tek b*tha e ministrit.
Diskutime rreth kësaj post