Ndërsa politika dhe opinioni janë përfshirë në debatin e përgjimeve, agjencia e lajmeve BBC i ka kushtuar një shkrim këtij fenomeni në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit.
Në qendër të shkrimit është Nesti Vako, njeriu që për 25 vjet drejtoi përgjimet në policinë sekrete shqiptare. Ai intervistohet nga gazetari Andrew Hosken, i cili e nis rrëfimin e tij kështu: “Ai ishte një njeri shumë i rëndësishëm. Njësoj si ai, edhe zyrat e Sigurimit nuk janë ashtu siç i kisha imagjinuar. Është një godinë me tulla të kuqe, që mund të kishte qenë shumë mirë rezidenca e ndonjë peshkopi”.
“Por çfarë ka brenda ‘Shtëpisë (famëkeqe) të Gjetheve’? Regjistrues prodhim gjerman, mikroçipe në fshesa dhe valixhe të stërmëdha me pajisje përgjimi të çfarëdollojshme….Mungonin vetëm cigaret shpërthyese dhe makina “Aston Martin” e James Bond-it’, shkruan Hosken.
Vako thotë që të përgjoje një person në kohën e komunizmit duhet të merrje më parë lejen e prokurorit të Përgjithshëm.
“Prokurori i Përgjithshëm duhej të nënshkruante një urdhër për mbikëqyrjen e dikujt, dhe kjo vetëm për një kohë të kufizuar. Nuk bëhej asgjë e paligjshme”, ka thënë ai për BBC-në.
Gazetari i BBC-së thotë se përveç Shtëpisë me Gjethe, do hapet për vizitorët rezidenca e diktatorit dhe është hapur tashmë bunkeri personal i Hoxhës.
Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman, e vlerëson këtë iniciativë, por shton se “asnjë nga vendet origjinale ku ka ndodhur terrori i vërtetë nuk është kthyer në vend përkujtimor”.
Ai sjell rastin e burgut të Spaçit. “Ndoshta më famëkeqi është kampi i punës së detyruar, i quajtur Spaçi, rreth dy orë me makinë nga Tirana, që po rrënohet”. “Ata kanë shkatërruar praktikisht të gjitha karakteristikat e një kampi pune dhe atje nuk ka asnjë pllakë përkujtimore-asgjë”.
“Që nga ditët e errëta të diktaturës, Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Pesë vjet më parë u bashkua në heshtje me NATO-n dhe tani është kandidate për anëtarësim në BE. Por korrupsioni në politikë dhe gjyqësor mbeten një trashëgimi e së kaluarës. Ndërkohë që Shqipëria përpiqet që të plotësojë standardet e BE-së, mijëra shqiptarë janë larguar tashmë, duke besuar se do jenë më mirë diku në Europë”, thuhet në shkrim.
Diskutime rreth kësaj post