Komisioneri i BE-së për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn u takua sot në Tiranë me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të diskutuar përparimin në reformat që lidhen me integrimin në BE dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.
Komisioneri paralajmëroi kryeministrin se nuk do të ketë integrim të vendit në BE nëse nuk do të ketë dialog me të gjitha partitë politike në vend.
“Angazhimi i fortë në procesin e integrimit në BE nga kryeministri Rama është kyç dhe dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë”, – citohet Hahn në dekadatën për shtyp që publikoi sonte vonë në mbrëmje, zyra për shtyp e Delegacionit të BE në Tiranë.
Hahn po ashtu ka kërkuar që të ketë një pakt politik mes partive: “Një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore për të trajtuar rekomandimet nga OSBE / ODIHR do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë”, – ka deklaruar z.Hahn.
Komisioneri nënvizoi se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare duke pasur parasysh vendimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019.
Nga ana tjetër, Komisioneri shprehu shqetësim rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së.
Ai tha se shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej.
Komisioneri shtoi se edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri.
Sakaq, Komisioneri vlerësoi se reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme. Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare.
Diskutime rreth kësaj post