Një ndër kushtet që shkencëtarët kërkojnë për të përcaktuar rihapjen e vendit, është edhe niveli i ulët i përhapjes së koronavirusit. Në Gjermani, shkalla e përhapjes së koronavirusit është 1.0. Pra, një person infekton mesatarisht një tjetër. Të dhënat i bëri të ditura për publikun kreu i Institutit gjerman për Sëmundjet Infektive.
Në Gjermani duket se koronavirusi ka nivel të stabilizuar përhapjeje, ndërkohë që mbetet i lartë niveli i vdekjeve të raportuara.
“Shkalla e riprodhimit është aktualisht në afro 1.0, por siç kemi vërejtur në të kaluarën, ka dallime të mëdha rajonale. Por, mesatarisht do të thotë që aktualisht, një person i infektuar në Gjermani infekton një person tjetër me SARS-CoV-2. Numri i vdekjeve të raportuara mbetet i lartë. Tani për tani, gjithmonë ka midis 100 dhe 300 raste fatale të raportuara në ditë”, tha Lothar Ëieler, kreu i Institutit gjerman “Robert Koch” për Sëmundjet Infektive.
Akademikët sugjerojnë që jeta publike gradualisht mund të kthehet në normale nëse plotësohen disa kushte, duke përfshirë një shkallë infeksioni që stabilizohet në një nivel të ulët. Për momentin, sistemi shëndetësor gjerman duket se ka përgatitjen e duhur, për të paktën deri në muajin tetor.
“Një gjë e mirë është se kapaciteti spitalor mbetet i madh që do të thotë se nuk kemi fare mungesa. Kemi shtretër të mjaftueshëm të kujdesit intensiv dhe ventilatorë dhe bazuar në situatën aktuale – dhe nënvizoj aktuale – ne nuk parashikojmë ndonjë mungesë”, tha zoti Ëieler.
Në spitalin Unfallkrankenhaus Berlin (UKB)
Megjithatë, zoti Ëieler nënvizoi se gjithçka mund të ndryshojë dhe situata mund të dalë nga kontrolli nëse rritet sadopak niveli i përhapjes.
“Tani për tani niveli i riprodhimit është afërsisht një, kështu që një person infekton një person tjetër. Nëse supozojmë se çdo person infekton 1.1 persona të tjerë, ne do të arrijmë në pikën e mbingarkesës për shtretërit e njësive të kujdesit intensiv deri në tetor. Nëse kjo normë është 1.2, ose me fjalë të tjera, 20% më shumë, kështu që nga pesë persona, njëri infekton dy të tjerë dhe katër persona një person tjetër, atëherë ne do të arrijmë në pikën e mbingarkesës së sistemit shëndetësor në korrik tashmë. Me 1.3, që nuk tingëllon shumë pasi kemi ardhur nga 3 në 5 infeksione, ne kemi një pikë krize në muajin qershor. Pra, mund ta shihni se sa pak hapësira kemi”, tha zoti Ëieler.
Gjermania nuk është e kënaqur me shumë prej testeve të dala në treg për koronavirusin.
“Shumë prej testeve aktualisht në treg nuk janë shumë të sakta dhe kjo është gjë e keqe. Kur për shembull keni një test ku 10 persona kanë antitrupa kundër virusit dhe testi vetëm njeh 7 prej tyre si pozitivë. Kjo ju lë me një saktësi 70%, e cila natyrisht është e keqe. Mund ta imagjinoni që nëse tre nga 10 janë gabim, atëherë mbetet vetëm të hamendësojmë”, tha zoti Ëieler.
Disa javë më parë, Kancelarja Angela Merkel tha se duhej kujdes për të luftuar koronavirusin e ri pasi situata në vend ishte akoma e brishtë, duke shpjeguar rëndësinë e një shkalle të ulët riprodhimi.
Numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Gjermani u rrit me 1.144 raste të reja, pra me një total prej 156.337, treguan të martën të dhënat nga Instituti Robert Koch.
Numri i vdekjeve u rrit me 163 në 5,913 viktima gjithsej, sipas raportit./VOA
Diskutime rreth kësaj post