Ndonëse ishte planifikuar për sot, është shtyrë sërish gjyqi ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji në lidhje me çështjen “Babale”.
Sipas njoftimit zyrtar, shkak është bërë kërkesa e mbrojtësve të personave të pandehur në këtë proces për shtyrjen e seancës.
Por gjithashtu ashtu një nga anëtarët e trupit gjykues ka njoftuar se nuk do të merrte pjesë në seancën e njoftuar për sot.
Seanca për çështjen penale u shty më date 28.09.2022 ora 14:00.
Në lidhje me skandalin e 4 viteve më parë që trazoi politikën shqiptare gjykata po gjykon për kallëzim të rremë kryer në bashkëpunim deputetin Demokrat Ervin Salianji dhe gazetarin Jetmir Olldashi, të cilët janë dënuar përkatësisht ne 1 vit burg dhe 100 orë pune në shërbim publik.
Sipas gjykatës së Tiranës ata e kryen këtë vepër në bashkëpunim me Albert Veliun, një ish- i dënuar e Fredi Alizotin.
Ky i fundit akuzohet se imitoi në audiopërgjimin e bërë publik nga selia e opozitës zërin e Geron Xhafajt, i cili të nesërmen e denoncimit të PD udhëtoi drejt Italisë për të kryer një dënim për çështje droge.
Seanca e parë në Apel nisi me shtyrje pasi mungonte anëtarja e trupës gjykuese Elona Toro për arsye shëndetësore si dhe avokatët për shkak se kanë bojkotuar seancat gjyqësore ne shenje revolte ndaj hartës së re gjyqësore.
I vetmi nga të pandehurit që mbërriti në gjykatë ishte ligjvënësi demokrat në mbështetje të cilit kishin ardhur dhe një grup deputetësh.
Gjatë seancës gjykata tha se Fredi Alizoti është tërhequr nga ankimi. Kjo sipas deputetit Salianji vjen për shkak se ai u përdor nga qeveria.
Deputeti demokrat hodhi akuza të rënda ndaj njerëzve të drejtësisë për të cilët tha se hetuan denoncuesin, por jo trafikun e drogës.
Skandali që u pagëzua me nofkën Babalja shpërtheu në maj të 2018. Partia Demokratike denoncoi përmes një audio përgjimi për përfshirje në trafik droge vëllain e ministrit të brendshëm atëkohë Fatmir Xhafaj. Për prokurorinë fakti nuk qëndronte dhe sipas saj Salianji veproi në bashkëpunim për të dëmtuar imazhin e Ministrit. Ndërsa “Babalja” dhe Fredi Alizoti kishin vepruar për interesa personale, i pari për të fituar azil dhe i dyti për para.
Diskutime rreth kësaj post