Paketat e cigareve, por edhe të gjithë nënproduktet e tjera të duhanit, do të shënojnë rritje të akcizës në pesë vitet e ardhshme, teksa në listën e taksimit është përfshirë tashmë edhe shisha apo nargjileja. Në 5 vjet, akciza do të rritet gjithsej me 5 lekë në vit/paketë, ose 25 lekë për të gjithë periudhën.
Paketa fiskale e vitit 2022 parashikon ndër të tjera disa ndryshime në ligjin ”Për akcizën” dhe konkretisht sa u takon produkteve të duhanit do të ndjekë politikën e viteve të fundit, ku nga 2018 e në vazhdim ka pasur rritje çdo vit. Relacioni që shoqëron draftin nënvizon se niveli aktual i akcizës së cigareve prej 6500 lekë/1000 copë, është larg nivelit minimal të parashikuar në Direktivë dhe pikërisht arritje drejt këtij niveli.
“Për këtë qëllim dhe me synimin për t’iu afruar gradualisht nivelit të Direktivës, nëpërmjet këtij projektligji është parashikuar rritja e nivelit të akcizës në 5 vitet e ardhshme me 5 lekë për paketë sipas këtij kalendari i cili shprehet në fije jo paketë:
– 6750 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2022;
-7000 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2023;
-7250 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2024;
-7500 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2025;
-7750 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2026.
Nga rritja e akcizës në grupin e duhaneve, parashikohet efekt vjetor në rritjen e të ardhurave nga akciza rreth 750 milionë lekë më shumë” thuhet në relacion.
I njëjti shton se përfshirja e kategorisë shisha apo nargjile vjen dhe arsyeja për këtë është se në tregun vendas po tregtohet gjerësisht ky produkt me një trend në rritje të bareve dhe klubeve që ofrojnë këtë lloj produkti. Financat vlerësojnë se një sasi tepër e vogël është riregjistruar, pajisur me pullat përkatëse të akcizës dhe rrjedhimisht zhdoganua.
“Është shtuar një kategori e re T403 “Shisha, nargjile” me kod 240311 dhe nivel akcize 6750 lekë/kg, nga 1 janari 2022 duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg, si dhe në kategorinë T401 “Nikotinë lëng” është propozuar të shtohet nënndarja me përshkrim “Qeska Nikotine – Duhan i prodhuar dhe produkte nikotine me aplikim oral pa djegie”, me nivel akcizë 6750 lekë/kg, duke u rritur më pas për 4 vitet në vijim me 500 lekë/kg.
Nëpërmjet këtij ndryshimi synohet të kemi një taksim të drejtë me akcizë për produktin nargjile, i cili pas përpunimit të tij, ka në përmbajtjen e produktit 10 apo 15% “duhan”, por që aktualisht taksohet sikur e gjithë përbërja të ishte prej duhani. Ky propozim vjen i bazuar me frymën e ligjit 61/2012, që akciza paguhet vetëm për sasinë e produktit të akcizës (për shembull Birra, pijet alkoolike bazuar në % e alkoolit, duhani me ngrohje bazuar në sasinë e duhanit në produkt), si edhe për mbrojtjen e të ardhurave nga erozioni i mundshëm i konsumit drejt produkteve të reja” saktëson relacioni.
Diskutime rreth kësaj post