Shtohet presioni ndaj kryedemokratit Lulzim Basha për të mbajtur një qëndrim sa i takon raportit me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Pritet që javën që vjen, Basha të mbledhë strukturat sa u takon organeve të partisë, por mësohet se brenda PD kërkohet të mbahet një qëndrim edhe mbi kërkesën e SHBA për t’u distancuar nga ish-lideri demokrat. Sipas burimeve disa deputetë të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit ia kanë bërë të qartë Bashës se PD duhet të distancohet nga Berisha, por edhe anëtarë të partisë kanë kërkuar një reagim zyrtar nga PD.
Dje ka folur për këtë çështje Edvin Kulluri, i cili është shprehur se Basha duhet të dijë të ndajë shapin nga sheqeri. Ai tha se Basha nuk mund ta mbajë mirë edhe me amerikanët edhe me Berishën prandaj duhet të marrë një vendin tani në fillim të shtatorit. Sipas tij, loja e dyfishtë duhet të marrë fund.
“Një gjë që Basha nuk di të bëjë është të marrë vendime edhe kur i merr janë të gabuara. Është në një pozitë të vështirë, nuk është e lehtë që zoti Basha, i cili ka mbështetjen e plotë të Berishës prej 16 vitesh në politikë, të distancohet nga zoti Berisha për shkak të shpalljes “non grata” nga DASH. Por edhe gjithë këto vite unë mendoj që ai ka bërë lojë të dyfishtë duke i qëndruar korrekt edhe Berishës në debatin e këtyre muajve, ashtu edhe duke bërë djalin e mirë me amerikanët.
Besoj javën e parë të shtatorit kjo histori dhe kjo gënjeshtër nuk mund të vazhdojë më. Zoti Basha duhet të marrë pozicion, ose duhet të rreshtohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe t’ia transmetojë opinionin e tij Këshillit Kombëtar të PD kryesisht që është pro largimit të Berishës nga grupi parlamentar. Ose duhet siç tha dhe Berisha vetë që zoti Basha të kërkojë prova dhe të vazhdojë të mbajë qëndrim ndaj DASH dhe vendimit të marrë”, – tha ai, në “Fax News”.
Ja çfarë pritet të ndodhë në PD
Po ashtu Kulluri u shpreh se nëse partia do të krijojë përplasje me SHBA sa i përket Berishës, kjo do të sillte një izolim të saj. Sipas tij, kreu demokrat është i humbur edhe nëse përplaset me amerikanët edhe nëse rreshtohet krah tyre kundër Berishës.
“Unë besoj që në të dyja rastet, zoti Basha është i humbur sepse në rast se zyrtarisht Partia Demokratike krijon një përplasje të këtij niveli me SHBA, do të izolohet shumë keq, të jemi të qartë. Por besoj se kjo nuk do miratohet nga anëtarët e tjerë pavarësisht partisë.
Në rastin e dytë, ai do të kishte shumë probleme të mëdha brenda sepse të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike e dinë shumë mirë që zoti Basha nuk është aty për shkak të mbështetjes së fortë ndaj Berishës pasi ka djegur tashmë të gjitha shanset që ka patur për t’u bërë kryeministër i vendit dhe kjo është kërkesa që kanë demokratët ndaj zotit Basha, ta çojë Partinë Demokratike drejt fitores.
Ai nuk e fitoi për herë të katërt, mundi zgjedhjet në parti hapur e dukshëm duke bërë masakër brenda partisë dhe tani zoti Basha po të krijonte një kurs përplasje me Berishën do ishte i vdekur politikisht brenda partisë. Kështu që unë e shoh opozitën të humbur, si të përplaset zoti Basha me SHBA për të mbajtur qëndrim pro Berishës, si të rreshtohet krah SHBA”, – u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post