Një studim i fundit i Institutit të statistikave në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik hedh dritë edhe mbi një prej plagëve më të mëdha të shoqërisë shqiptare, të paktën gjatë 3 dekadave të fundit; informalitetin e lartë të pronave, pra pronat pa “letra”.
Sipas studimit, në rastin më të keq, te meshkujt 15-49 vjeç, në zonat rurale, informaliteti është në 25%, pra 1 në 4 meshkuj që ka shtëpi, e ka atë, pa asnjë lloj dokumenti që të vërtetojë pronësinë e tij.
Në zonat urbane, te meshkujt, kjo normë është në 15.6%. Sa i përket qarqeve, fenomeni është më shumë i përhapur në Dibër dhe Kukës.
Në Dibër norma fiksohet në 49.5%, pra me 1 në 2 që ka një shtëpi pa asnjë lloj dokumentacioni pronësie. Në Tiranë, kjo normë fiksohet në 13.4%. Ndërkohë që në qarqet veriore fenomeni është më i përhapur.
Rekordin pozitiv e mbajnë dy qarqe nga jugu i vendit; Vlora dhe Gjirokastra, me vetëm 6.1% dhe 4.7% respektivisht.
Në Gjirokastër më pak se 1 në 20 meshkuj jetojnë në një shtëpi pa dokumente. Ajo që duket edhe më interesante nga ky studim është fakti se te femrat informaliteti rezulton shumë herë më i ulët, thuajse dy herë.
Kjo, sinjalizon, ndoshta, një mungesë sinqeriteti mes të anketuarve. Pronat pa dokumente, e sidomos banesat apo edhe ambientet e biznesit janë në pjesën dërrmuese rrjedhojë e ndërtimeve pa leje, kryesisht në zonat informale.
Ky fenomen vijon të jetë problem i madh edhe sot, sidomos në ato zona ku do të zhvillohen projekte publike.
Diskutime rreth kësaj post