Një banesë njëkatëshe, ishte përshtatur në laborator për kultivimin e kanabisit në fshatin Pobrat të Dimalit, ku policia ra në gjurmë pasi zbuloi se në banesën e Bejdo Rapos, kishte një ambient që furnizohesh me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishte përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë kontrolleve në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 85 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 315 fidanë bime narkotike, 25 llamba, 1 aspirator, 6 ventilatorë dhe 20 rritës të energjisë elektrike.
Në pranga u vu Bejdo Rapo, 21-vjeç që ishte pronari i banesës dhe Igli Borova 29-vjeç. Ky i fundit u arrestua pasi ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Lushnjës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.
Gjithashtu, në pranga ra dhe vëllai i tij Frederik Borova, 25-vjeç, të dy banues në Fier.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë arrestimi dhe i dy punonjësve të OSHEE-së, shtetasit Renato Mingo, 55-vjeç, me detyrë përgjegjës i grupit të OSHEE-së dhe Eriglen Bejdo, 32-vjeç, me detyrë faturist elektrik, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Operacioni u kodua “Pobrati”
Diskutime rreth kësaj post