Shtatori pritet të sjellë furtunën në administratën shtetërore. Edhe pse në 25 prill Partia Socialiste u mandatua nga qytetarët shqiptarë për të drejtuara qeverinë edhe për një mandate të tretë, kryeministri Edi Rama vijon të jetë i pakënaqur me punën e të tijve, ku administrata vijon të konsiderohet si “patatja e nxehtë”. Gazeta ka mësuar se pas urdhërit të kryeministrit Rama për reformë të administratës, kanë nisur lëvizjet e para. Sipas informacioneve nga selia rozë, degët e PS kanë nisur të “spiunojnë” tek shefi i qeverisë për drejtorët e administratës shtetërore që kanë dështuar të përmbushin objektivat e vendosura nga i pari ekzekutivit.
Në këtë kontekst, mësohet se disa degë socialiste në vend, i kanë dërguar zotit Rama dosje me emrat e drejtorëve dhe zyrtarëve të administratës që janë arrogantë dhe nuk kanë performancë, që sipas krerëve lokalë të Partisë Socialiste, duhet të shkarkohen nga detyra. Mësohet se këto të dhëna degët i kanë bazuar edhe në bazë të ankesave të qytetarëve dhe anëtarëve të thjeshtë të PS, që në raste të caktuara, kur kanë trokitur në zyrat e shtetit janë përballur me arrogancë dhe nuk kanë marrë shërbimin e kërkuara.
Kështu që nisur nga këto shqetësime në rritje të qytetarëve dhe pas vendosmërisë së kryeministrit Rama për të reformuar administratën, disa nga degët socialiste i kanë çuar në zyrë listën me drejtorët që nuk duhet të jenë më pjesë e administratës shtetëror. Nga ana tjetër, mësohet se në degët e PS gjatë këtyre ditëve, vijon diskutimi mbi procesin e ardhshëm të analizës së zgjedhjeve, fushatën zgjedhore brenda partisë, anëtarësimet e reja, etj. Mësohet se degëve iu është shpërndarë nga një dosje pune me statistikat e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në rang qarku, për çdo njësi në rang bashkie, për çdo Qendër Vendimi rang njësie, kopjen e statutit dhe vendimet e Asamblesë që dolën.
Por nisja e një auditi për drejtorët arrogantë dhe parazitë, u paralajmëruara pak ditë më parë edhe nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit duke folur para Kongresit të Partisë Socialiste theksoi se administrata shtetërore, duhet “pastruar” siç tha ai nga ata që janë turpi i këtij shteti e turpi i socialistëve në marrëdhëniet me qytetarët.
“Hapat që kemi hedhur me rekrutimet në shërbimin civil, infermierëve, mësuesve dhe policëve janë të pamjaftueshëm për t’u ngritur në majë. Çlirimin e sektorit publik nga parazitë dhe injorantë me mbulesa politike, që e bëjnë flamurin e PS-së të duket si lecka e “gabit”. Duhet të angazhohemi në një fushatë anëtarësimesh një vjetore, t’u japim dyert e qeverisë që nga dyert e kabineteve të ministrave, të ministrive, agjencive, bordeve, për vajza dhe djem të shkolluar jashtë shtetit dhe të shkolluar me rezultate të shkolluara brenda shtetit. Mandati i tretë, le të jetë edhe i fundit po të dojë nëse mandati i katërt do të varet nga këta arrogantët, parazitët dhe injorantët që futen në zyrat e shtetit me shtytje, nxitje, mbrojtje dhe garanci interesash. Kur të mi gjeni kushërinjtë e mi dhe krushqit e mi që punojnë në administratën shtetërore, hajdeni dhe më kërkoni për krushqit tuaj”, deklaroi kryeministri Edi Rama.
Diskutime rreth kësaj post