Vetëm gjatë vitit të kaluar ajo ka fluturuar në rreth 60 vende, në gjitha kontinentet e botës.
Ka vizituar Amerikën Latine (si në Santiago de Chile, Buenos Aires të Argjentinës, disa vende të Brazilit por edhe dy herë në Amerikën qendrore, në Kubë. Pastaj ka fluturuar edhe në shtetet afrikane (si në Senegal, Kamerun, Keni, Marok) edhe në disa shtete arabe (si Kuvajti, Bahreini, Katari). Po kështu gjatë vitit 2015 Florija ishte në mision edhe në vende aziatike.
Këtu hyjnë Shangai i Kinës, Tajlanda dhe Sri Lanka. Ka qenë edhe në Maledive, në ishujt e famshëm turistikë, po jo për të bërë pushime.
“Interesant ishte edhe në Taxhikistan”, thotë Florija, “sepse vendet e Azisë qendrore i kisha ende të panjohura”.
Të gjitha këto vende i ka përshkuar për një vit, me aeroplanin jet-ambulancë, të tipit Challenger CL-604, kërçovarja nga Zvicra, Florie Jusufi.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë sipërmarrëse e as pilote apo stjuardesë, por për anesteziologen e vetme shqiptare në kompaninë zvicerane të shpëtimit ajror “Rega”, e cila edhe vitin e kaluar është angazhuar në qindra operacione të shpëtimit nëpër botë për të sjellë në raste nevoje në Zvicër pacientët nga e gjithë bota.
Florija numëron qindra orë fluturimi mbi qiejt e të gjitha kontineteve të botës në operacione të riatdhesimit me aeroplani mjekësor zviceran, të shërbimit për shpëtim, Rega.
Fluturimi është i sigurt, më problem është transporti tokësor deri te aeroplani
Kërçovarja, në një intervistë albinfo.ch rrëfen ekskluzivisht për përvojën e saj sfiduese në misionin e shpëtimit.
Ajo tregon edhe për fluturimin më të gjatë, nga Zelanda e Re në Zvicër.
“Përjetim kulminant ishte sigurisht riatdhesimi i dy pacientëve nga Zelanda e Re sepse ishte vendi më i largët në botë prej Zvicre”, tregon për albinfo.ch anesteziologia shqiptare me origjinë nga Maqedonia.
Ndërkaq, ajo ishte përfshirë në shumë misione shpëtimi në vendet evropiane, si në vendet skandinave, pastaj në Rusi, Angli, Spanjë, Portugali, Turqi, Greqi, vendet ballkanike etj.
Ishte ndier shumë mirë kur kishte vizituar Prishtinën dhe Ohrin. “Ishte kënaqësi për mua që kisha mundësinë të flisja shqip. Për njerëzit atje ishte një befasi shumë e madhe që të vinte një mjeke shqiptare me aeroplan mjekësor nga Zvicra”, rrëfen Jusufi.
“Në Prishtinë kam pasur më shumë raste, por më interesant ishte riatdhesimi i një pacienti me infarkt cerebral, i cili kishte nevojë për një trajtim sa më të shpejtë. Ndërsa në Ohër isha vetëm një herë, atje transportuam një paciente që kishte pësuar një incident sportiv”, tregon dr. Florija.
Pyetjes se a ka pasur ndonjëherë frikë gjatë këtyre fluturimeve, ajo i përgjigjet duke qeshur dhe duke thënë se fluturimet me aeroplan janë më të sigurta se sa me auto ambulancë.
“Rega investon shumë para në mirëbajtjen e aeroplaneve (janë total tre aeroplanë mjekësorë) dhe në trajnimin e pilotëve. Komunikimi dhe bashkëpunimi me pilotët është shumë i mirë, domethëne ekipi mjekësor dhe ekipi i cockpitit janë gjithmonë në kontakt gjatë kohës së fluturimit. Siguria është një pikë shumë e veçantë për Regën”, thotë znj. Jusufi.
“Rreziku më i madh për ekipin mjekësor dhe pacientin nuk është fluturimi por udhëtimi me auto ambulancë (spital-aeroport) në vendet e huaja, sepse në shumë vende nuk i respektojnë rregullat e trafikut”, shpalos ajo përvojën që ka pasur në shumë vende të botës.
Gëzim dhe mburrje për shpëtimin nga vdekja të një nënë të re
“Anesteziologia fluturuese” rrëfen edhe për rastet kur, përveç riatdhesimit, me intervenimin e saj kishte shpëtuar edhe jetën e pacientëve. Ishte përballur në shumë raste me pacientë që ishin në gjendje kritike dhe në rrezik jete.
Për këtë arsye është edhe kusht që mjeku i aeroplanit mjekësor të jetë anesteziolog ose mjek intensiv, që me përvojën e tij të mundet t’i përballojë situatat kritike. Dhe, këtë përvojë e kishte edhe anestezilogia shqiptare nga Zvicra.
“Një rast i tillë ka ndodhur para disa muajve në Rusi. Atje ishte një paciente e re që kishte përjetuar shok septik dhe ishte e planifikuar për riatdhesim. Kur arrita unë atje, pacientja ndodhej tashmë në fazën e dështimit të organeve. Në situata të tilla mbijetesa është e mundur vetëm me intervenimin urgjent, duke marrë përsipër funksionimin e organeve përmes aparateve, në mënyrë artificiale për një kohë të caktuar. Problemi në këtë rast ishte se, në njërën anë ato aparate nuk eksistonin në atë vend, e në anën tjetër pacientja nuk ishte në gjendje për ta mbijetuar transportimin me aeroplan. Në raste të tilla transportimi nuk bëhet, sepse është shumë vonë. Ishte ndjenjë shumë e rëndë pasi që pacientja ishte shumë e re dhe kishte dy fëmijë të vegjël.
Me këtë rast kam diskutuar me bashkëshortin e saj edhe u dakorduam që unë të provoj së paku të stabilizoj gjendjen shëndetësore të pacientes dhe më pas të realizojmë transportin me të gjitha konsekuencat që mund të ndodhnin. Fluturimi ishte shumë intensiv por na ndihmoi zoti që ta dërgojmë pacienten për së gjalli në Zvicër. Pas një trajtimi intensiv disamujor në Zvicër, pacientja në fjalë kishte lënë spitalin pa pasoja. Jam ndjerë shumë e gëzuar dhe pak krenare kur e dëgjova këtë lajm të mirë”, tregon për këtë “happy end” anesteziologia shqiptare në Rega.
Florije Jusufi ka mësuar shumë në operacionet e shpëtimit nëpër botë.
Nuk e kuptojnë se si Zvicra dërgon aeroplanit në fund të botës, vetëm për një pacient!
“Vitin e kaluar kam njohur shumë sisteme shëndetësore në gjithë botën. Në disa vende infrastruktura e spitaleve ishte shumë e dobët dhe varfëria e popullit ishte shumë e madhe. Aq sa ata nuk mund ta kuptonin se si një sistem shëndetësor i një vendi është aq i zhvilluar sa që dërgon një aeroplan të tërë vetëm për një ose dy pacientë. Në situata të tilla ndjehem shumë e privilegjuar për mundësitë që i kemi ne këtu”, thotë ajo për albinfo.ch.
Jusufi do të vazhdojë misionin e shpëtimit me aeroplan (Swiss Air Ambulance).
Vetëm para një viti kishte filluar punën si mjeke me aeroplan mjekësor (për riatdhesimin e pacienteve në raste të veçanta. Më parë ajo ishte e punësuar si anesteziologe në spitalin kantonal të Luzernit. Dr. Florija kishte përfituar nga rasti që të bëhej pjesë e Rega-s vitin e kaluar, falë rotacionit që e bëjnë spitalet, duke dërguar një mjek në vit në operacionet e shpëtimit.
“Ky vit ishte shumë special për mua dhe me eksperiencë të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi me Rega-n ishte shumë i mirë, dhe kështu Rega më ka ofruar vazhdimin e bashkëpunimit pas këtij rotacioni (që në të vërtetë përfundon pas 12 muajve). Domethenë në të ardhmen do të punoj edhe në Rega edhe në spital”, thotë Jusufi.
E vetmja shqiptare në Rega
“Në ekipin e mjekëve, infermierëve dhe pilotëve, për fat të keq deri tash nuk ka të tjerë shqiptarë. Në repartet tjera s`kam njohuri”, tregon znj. Jusufi.
Në fund të këtij bashkëbisedimi me albinfo.ch Florije Jusufi nuk harron pa e falënderuar edhe familjen, e cila e ka përkrahur pa masë në çdo hap.
Në Prishtinë, befasohen me mjeken nga aeroplani që flet shqip
Ishte ndier shumë mirë kur kishte vizituar Prishtinën dhe Ohrin. “Ishte kënaqësi për mua që kisha mundësinë të flisja shqip. Për njerëzit atje ishte një befasi shumë e madhe që të vinte një mjeke shqiptare me aeroplan mjekësor nga Zvicra”, rrëfen Jusufi.
“Në Prishtinë kam pasur më shumë raste, por më interesant ishte riatdhesimi i një pacienti me infarkt cerebral, i cili kishte nevojë për një trajtim sa më të shpejtë
Biografi
Florije Jusufi është e lindur në Kërçovë të Maqedonisë. Në moshën e saj një vjeçare prindërit kishin migruar në Zvicër. Shkollën fillore e ka mbaruar në Menziken (Kanton Aargau) dhe Gjimnazin në Beromünster (Kanton Luzern). Pastaj nga viti 2003 deri 2009 ka studiuar mjekësinë në Universitetin e Bazelit, ku gjithashtu e ka mbaruar edhe doktoraturën (titulli Dr.med.. Para një viti me sukses ka kaluar provimet e specializimit të Anesteziologjisë. Deri tash ka punuar katër vite në Departamentin e Anesteziologjisë në Spitalin Kantonal të Lucernit dhe një vit në Emergjencën e Spitalit Kantonal Obwalden në Sarnen. Në Anesteziologji në Luzern kishte përfitiuar shumë përvojë si mjeke „Notärztin“ te ndihma e shpejtë (144). Përvoja e saj disavjeçare e fituar në Qendrën Emergjente e kishte ndihmuar të depërtojë në „Swiss Air Ambulance Rega“.
Diskutime rreth kësaj post