Ndaj një shqiptari në Itali, i akuzuar për zhvatje dhe dhënie parash me fajde është ekzekutuar sot masa e arrestit shtëpiak.
Hetimet, e koordinuara nga Prokuroria e Latinas dhe të kryera nga Guardia di Finanza e Aprilia-s, kanë mundur të konstatojnë se C.P., 44 vjeç, në harkun kohor të gjashtë muajve ka zhvatur më shumë se 100.000 euro nga subjekte të ndryshme.
Shqiptari, duke përfituar nga vështirësitë financiare të atyre që iu u jepte para me fajde, kryesisht tregtarë dhe sipërmarrës të vegjël, vendoste norma interesi jashtëzakonisht më të larta se pragu i përcaktuar çdo 3-mujor me dekret të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Në disa raste, norma shkonte edhe në 300% të kapitalit të dhënë me fajde, raportojnë mediat lokale.
Skema “kriminale” ishte studiuar në atë mënyrë që mos ti jepte të dëmtuarve mundësinë e shlyerjes së borxheve. Në fakt, fajdexhiu, edhe pse përdorte metoda frikësuese, tregohej gjithnjë i gatshëm të jepte shuma të reja parash, që përdoreshin nga të dëmtuarit për të paguar këstet e fajdeve të marra më herët. Në këtë mënyrë, interesat mbi kapitalin fillestar rriteshin gjithnjë e më shumë, shkruan Syri.net.
Aktiviteti i efektivëve të Guardia di Finanza-s së Aprilia-s është kryer me përgjime telefonike, ambientale e ndjekje, dhe në gjashtë muaj është arritur të qartësohet mënyra se si vepronte C.P., i cili bashkëpunonte edhe me bashkatdhetarë të tjerë për të frikësuar të dëmtuarit.
Operacioni për ndalimin e 44-vjeçarit është kryer mëngjesin e kësaj të premteje, kur efektivët mësynë në vilën e tij.
Gjatë të njëjtit aktivitet hetimi, janë denoncuar edhe tre shqiptarë të tjerë të përfshirë në akte kriminale, veç 44-vjeçarit C.P.
Diskutime rreth kësaj post