Nga Mero Baze
Amerikanët do të votojnë nesër për presidentin e ri të tyre pas një fushate të pazakontë, ku më shumë se për fitimtarin e pritshëm, emocionet janë të drejtuara nga humbësi i mundshëm. Nëse Hillary Clinton vazhdon të ruajë epërsinë në sondazhet e ditës së fundit, ajo do të jetë presidentja e re e SHBA, por për këtë nuk do ketë shumë entuziasëm.
Çlirimi vjen nga fakti i mundshëm që Donald Trump nuk do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, por kjo nuk do të thotë që nuk e ka nxirrë sadopak imazhin e saj.
Problemi është se zgjedhjet në SHBA kanë rëndësi për shqiptarët si faktor gjeopolitik në Ballkan, por nuk kanë rëndësi për faktorët politikë brenda shqiptarëve. Por në kundërshtim me këtë, tifozllëku më i madh është brenda faktorëve politikë shqiptarë, dhe më pak mendojnë për problemin që ka faktori shqiptar në Ballkan nga një humbje vëmendje nga Shtëpia e Bardhë.
Sa i përket ndikimeve në politikat e brendshme në Shqipëri dhe Kosovë, fitorja e presidentëve në SHBA nuk ka pasur kurrë ndikim. Shpesh herë në Shqipëri politikanët janë përpjekur të bëjnë fushatë vesh më vesh me këtë çështje, duke hapur fjalë se “po fitoi X” i kemi punët mirë, por gjithmonë i ka përgënjeshtruar historia.
Në vitin 1992, kur Bill Klintoni ishte në fushatë me Xhorxh Bushin e parë, Eduard Selami, atëhere politikani i ri, pasionant pro republikan, nuk e besonte dot që po fitonte Klintoni dhe gati sa nuk tha në një intervistë të tij “prit se duhet të kalojë dhe në Kongres”, si për të ilustruar zhgënjimin e tij nga fitorja e së majtës amerikane. Formimi i PD konçidoi me pushtetin e Xhorxh Bushit . Ai priti Berishën në maj të 1992 në Shtëpinë e Bardhë dhe Selamit i dukej fundi i botës të dilte Bushi nga Shtëpia e Bardhë. Por Klintoni jo vetëm që u bë mbështetësi më i madh i PD dhe Berishës vitet e para, duke e pritur atë në një vizitë zyrtare, por administrata e tij ishte dhe ajo që mori në mbrojtje Selamin pas problemeve me Berishën. Pra, u bë fati i tij.
Nga ana tjetër, i njëjti zhgënjim pozitiv u ndodhi socialistëve në vitin 2000. Beteja ligjore dhe elektorale Bush- Al Gor gati u kthye në ndeshje futbolli në Tiranë. Berisha shpresonte se fitorja e Bushit do ta nxirrte nga izolimi, ndërsa socialistët bënin tifozëllëk për Al Gorin. Por e vërteta që pasoi nuk ishte fare e këndshme për Berishën, por normale për politikën amerikane. Ilir Meta arriti të takohej si kryeministër me Bushin në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa izolimi i Berishës u thellua. Fatos Nano pas Ilir Metës u thirr po ashtu në Shtëpinë e Bardhë dhe ishte i preferuari i administratës, duke nënshkruar Paktin e Adriatikut me Colin Pauellin dhe duke ju bashkuar forcave aleate në Irak dhe Afganistan .
Edhe fitorja e Obamës më 2008 nuk e ndihmoi Edi Ramën të vinte në pushtet, edhe pse shkoi ndoqi fushatën e tij, ndërsa Hilaru Clinton erdhi në Shqipëri e ftuar nga Berisha. I vetmi nder që ju bë Ramës ishte kur fitoi pushtetin dhe u ftua zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë, por kjo jo për preferencë politike, por si shenjë e një miqësie të fortë shqiptaro- amerikane.
Ky është normalitet në politikën e SHBA, e cila nuk merret me krahët politike, por me orientimin demokratik të vendit dhe politikën rajonale.
I vetmi ndikim që kanë këto zgjedhje në SHBA nuk janë në Shqipëri dhe as në Kosovë, por në faktorin shqiptar në Ballkan. Shqiptaro- amerikanët me të drejtë vote do të votojnë në shumicë Hillary Clintonin, për një kontrast shumë të qartë të historisë së Klintonëve me lirinë e kombit shqiptar dhe mbështetjen maksimale që ultranacionalistët serbë i japin Donald Trumpit, për atë që ka konsideruar si gabim çlirimin e Kosovës dhe orientimin e tij pro rus.
Por përtej kësaj, Donald Trump do të ishte një problem real për Shqipërinë dhe Kosovën, nëse do të hynte në Shtëpinë e Bardhë. Me orientimin e tij pro rus, me shpresën që do të ngjallte tek segmentet ultranacionaliste serbe dhe festën e Sheshelit në mes të Beogradit, do të krijohej një perceptim se faktori shqiptar nuk është më në fokusin e politikës amerikane dhe shumë procese në Ballkan do të ngrinin dhe mund të bënin regres. Shqipëra dhe shqiptarët e tjerë në Ballkan, janë një faktor i brishtë gjeopolitik ende i pastablizuar, më së shumti për shkak të problemeve të tyre dhe ata i zë shumë shpejt e keqja dhe mungesa e vemendjes e të mëdhenjve, në këtë rast e SHBA.
Unë e kuptoj se nëse ndodh që Trump të jetë president, ai nuk do jetë kaq gomar sa ka qenë në fushatë, pasi e moderon administrata dhe “vijat e kuqe” të Sigurisë kombëtare të SHBA, por qoftë dhe perceptimi se ka ardhur një armik i shqiptarve në Shtëpinë e Bardhë, na bën dëm.
Ndaj të gjithë ata që bëjnë humor me idenë se Trump nuk e ka mendjen tek shqiptarët, duhet të dijnë se ata që kanë dalë me pankarta pro Trump në rrugët e Beogradit pas Sheshelit, nuk kanë nevojë të merret Trump me ne, boll të mos merret të ndalë ata.
Ndaj shqiptarët i presin këto zgjedhje, jo për të duartrokitur fituesen e mundshme Hillary Clinton, por për t’u çliruar nga makthi i një ëndrre të keqe, që quhet Trump.
Diskutime rreth kësaj post