Policia ka vënë në pranga dy të rinj nga Vlora, 22 dhe 17 vjeç, të cilët kanë vjedhur një makinë në lavazh dhe janë arratisur me të.
Vetëm pas një ndjekjeje prej 30 munitash është bërë i mundur ndalimi dhe arrestimi i tyre.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Reagimi në kohë i shërbimeve të Policisë parandalon vjedhjen e një automjeti.
Vodhën një automjet në “Plazhin e Ri”, në Vlorë, reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur lokalizimin dhe ndalimin pas rreth 30 minutash ndjekjeje, të 2 shtetasve që kishin vjedhur automjetin.
Policia vuri në pranga një 22-vjeçar që drejtonte automjetin e vjedhur dhe një 17-vjeçar që ishte pasagjer në këtë automjet.
Shërbimet e Policisë që patrullonin në territor, për garantimin e rendit dhe sigurisë, morën njoftim për vjedhjen në një lavazh, të një automjeti në pronësi të shtetasit S. G., në afërsi të “Plazhit të Ri”, Vlorë.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe forcat “Shqiponja”, falë reagimit në kohë dhe si rezultat i kontrollit të territorit, lokalizuan automjetin dhe u vunë në ndjekje të tij.
Pas rreth 30 minutash ndjekjeje, bënë të mundur bllokimin e automjetit, të cilin po e drejtonte shtetasi A. Z., 22 vjeç dhe kishte pasagjer shtetasin A. H., 17 vjeç, banues në Vlorë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 22 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. H., 17 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Diskutime rreth kësaj post