Nga Krasta e Elbasanit, ku ndoqi situatën në terren, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj deklaron për Top Channel se zjarret po kërcënojnë sigurinë kombëtare. Ai thotë se duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Me zotin Demiraj bisedoi gazetari Gazmend Janku.
TCH: Nisur nga përhapja dhe shkaqet, të cilat ju shpeshherë keni dyshuar se janë zjarrvënie të qëllimshme, mendoni se jemi në kushtet për të shpallur gjendjen e emergjencës për shkak të zjarreve?
Ministri Demiraj: Kjo është në dorën e kryeministrit, por unë mendoj se situata është shumë e rëndë dhe vetëm sot kemi pasur 25 vatra zjarri, kryesisht në Vlorë, Elbasan, Dibër dhe në Tiranë. Sidomos situata këtu në Elbasan është shumë e rëndë. Ju e shikoni se thuajse i gjithë pylli po merr flakë, kemi një mangësi të theksuar të mjeteve. Sapo i kam kërkuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm të sjellë edhe dy zjarrfikëse shtesë. Falënderoj deputetin Balla, që për hir të së vërtetës ka qenë i interesuar për këtë zonë, e në bashkëpunim me të po bëjmë maksimumin që të sjellim sa më shumë forca e mjete, por situata është e jashtëzakonshme. Nuk kemi shi, temperaturat janë shumë të larta, ndërsa edhe popullsia duhet të jetë më e vetëdijshme për t’i dalë në mbështetje Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave, e cila po bën maksimumin e mundshëm. Gjykoj se është e pamundur që të përballohet vetëm me dy helikopterë dhe jemi në pritje të forcave shtesë nga Drejtoria e Emergjencave Civile në Bruksel. I bëj thirrje Policisë së Shtetit që të shtojë masat përtej angazhimeve të jashtëzakonshme që ka për kanabisin e për problemet e tjera, të kushtojë më tepër vëmendje në drejtim të emergjencave civile, në mënyrë që të kapen e të dënohen autorët, pasi jemi në një cënim në një nga pjesët kryesore, që përbën edhe cënim të sigurisë kombëtare: të djegies e shkatërrimit të pronave, të pasurisë publike. Do të na duhen edhe 50 vite që ta rregullojmë sërish këtë pyll, apo pyjet e tjera shqiptare. Padyshim që kjo nuk është e rastësishme, por e qëllimshme.
TCH: Ju mendoni se në rast të shpalljes së gjendjes së emergjencës, situata mund të menaxhohet më mirë?
Ministri Demiraj: Po, mund të menaxhohet më mirë, sepse do të alokohen më shumë fonde, më shumë forca. Do të ketë një komandim e kontroll më të mirë, si dhe do të ketë një përfshirje më të madhe të strukturave qeveritare.
Diskutime rreth kësaj post