Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur thirrjeve të opozitës dhe deklaratave të deputetit Ben Blushi me një deklaratë të prerë se Shqipëria nuk ka shans të destabilizohet.
Rama tha se PD nuk ka frikë nga zgjedhjet por nga ballafaqimi me njerëzit sepse nuk ka miratuar vettingun.
“Për fatin më të keq nëse ne do ju jepnim një zgjedhje mes zbatimit të reformës në drejtësi dhe vendosjes së një muri ndarës mes Shqipërisë dhe BE-së ata do zgjidhnin murin. E gjitha lidhet me këtë dhe frika nga zgjedhjet nuk është thjesht frika nga humbja e zgjedhjeve por është frika nga ballafaqimi me njerëzit e tyre sepse do shkonin pa vettingun dhe pa miratimin e reformës në drejtësi”, tha kreu i qeverisë.
Ai theksoi se ‘nuk ka shans që të ketë kompromis nëse vettingu nuk është pjesë e kompromisit’.
“Kompromisi është që të pranojmë të modifikojmë rregullat brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe të shkojmë në zgjedhje pasi t’i kemi miratuar bashkë me vettingun. Besoj se nuk ka mik dhe partner të Shqipërisë që do ta pranonte një gjë të tillë. Ky është opinioni im por dua të nënvizoj se vendimmarrja është e përbashkët. Vendimmarrje e koalicionit që ka përgjegjësinë të garantojë zgjedhjet dhe e miqve dhe partnerëve tanë. Nëse do gjejmë dhe me ta një rrugë arsyeje që gjëja e parë që do miratojmë në parlamentin e ardhshëm do jetë vettingu, gjithçka do jetë e hapur”, tha Rama.
Ai deklaroi se ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje pa opozitën sepse nuk kemi bërë asnjë pengesë. “Kemi shkuar edhe përtej duke thënë jo vetëm ndryshime të natyrës njerëzore por edhe mekanizma të përbashkët për të monitoruar policinë, administratën. PD nuk ka monopolin e opozitës në Shqipëri se nuk është PD që prodhojë lirinë, është liria që ka prodhuar PD-në…”, tha Rama.
Diskutime rreth kësaj post