Mitropoliti i Dropullit Pogonit dhe Konicës, Andrea Konitsis ka akuzuar Shqipërinë se po shkon drejt aneksimit të Kosovës për të përmbushur ëndrrën e “Shqipërisë së Madhe”.
Ai kritikon ashpër edhe autoritetet greke, që sipas tij e kanë kaluar në heshtje këtë çështje mjaft delikate.
Deklarata e plotë:
“Sipas deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Shqipëria ka vendosur të ndryshojë kufirin e saj me Kosovën.
Në veçanti, ai theksoi se porti i Durrësit në detin Adriatik do të bëhet një “port de facto i Kosovës”, dhe madje njoftoi një marrëveshje përkatëse.
Deklarata kaloi pa u vërejtur nga media greke dhe askush nuk i kushtoi vëmendje.
Sidoqoftë, vendimi i Ramës ka një rëndësi të madhe. Sepse, sipas tij, Shqipëria po vazhdon me aneksimin e Kosovës, ku jetojnë 90% e shqiptarëve.
Dhe kjo nuk është një strategji e re e fqinjit. Që nga viti 2008, kur kosovarët u pavarësuan nga Serbia, Shqipëria ka synuar aneksimin e Kosovës, pasi ëndrra për një “Shqipëri të Madhe” mbetet e gjallë.
Sidoqoftë është karakteristike që ky vendim i Shqipërisë u mor në një kohë kur kriza greko-turke po zhvillohet e ku neo-sulltani Erdogan po sulmon në shumë fronte.
Prania turke është veçanërisht e fortë në çështjet publike, në sektorin ushtarak, madje edhe në fushën fetare me krijimin e një rrjeti xhamish.
Për më tepër, Erdogan po monitoron zhvillimet elektorale në Shqipëri, një fakt që duket se është me interes të veçantë për të, ndërsa Serbia e pafuqishme nuk është në gjendje të bllokojë këto zhvillime.
Ndërkohë, qeveria greke duket se dëshiron pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por opozita nuk tregon asnjë interes. Kështu, helenizmi i Vorio Epirit, siç qëndrojnë gjërat, mbetet, edhe një herë i vetëm dhe i pafuqishëm, përballë fanatizmit të Edi Ramës, i cili, së bashku me fanatizmin e Erdoganit, formojnë një zinxhir të fortë rreth nesh.
Sigurisht, ne nuk anashkalojmë as pandeminë e koronavirusit, situatën kritike në ekonomi dhe arsim, as përpjekjet e qeverisë për të kapërcyer këto kriza. Por, në të njëjtën kohë, është e nevojshme që shteti të shikojë edhe çështjet përtej detit në mënyrë që të mos kemi ndonjë zhvillim të pakëndshëm.
Sidoqoftë, nëse të drejtat e njerëzve të Epirit të Veriut nuk janë të garantuara plotësisht, nuk duhet të mendohet për ndonjë anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.” – shkruhet në deklaratë.
Diskutime rreth kësaj post