Janë investuar gati 1 miliardë euro në infrastrukturë gjatë viteve 2016 – 2020, por dendësia e rrjetit rrugor ka rënë, ky indikator tregon gjatësinë totale të rrjetit rrugor në raport me sipërfaqen për metër katror.
Rënia e këtij indikatori tregon se për drejtuesit e automjeteve në Shqipëri, ka gjithnjë e më pak rrugë në dispozicion pavarësisht investimeve të mëdha që thith ky sektor çdo vit.
Gjatë këtyre viteve “Transporti Rrugor,” ka qenë zëri i dytë më i lartë buxhetor, vetëm pas fondeve që i transferohen sigurimeve shoqërore për pensionistët.
Nga 2019 dendësia ka ardhur me ulje çdo vit, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon për rrugë çdo kilometër katror. Vetëm 12,5 kilometra rrugë për 100 km2 janë të shfrytëzueshme nga shoferët.
Një shkak kryesor që lidhet me uljen e këtij indikatori, është kosto e lartë për kilometër me të cilin ndërtohen rrugët në Shqipëri, ndërsa kjo sjell që të ndërtohen më pak kilometra rrugë se sa ka nevojë territori.
Gjithashtu një tjetër fenomen është fakti që me ndërtimin e akseve të reja lihen tërësisht në harresë akset e vjetra, duke u nxjerrë jashtë inventarit të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Ndërsa, dendësia e rrjetit rrugor bie, INSTAT tregon se numri i automjeteve në qarkullim rritet gjithnjë e më shumë dhe janë rreth 740 mijë mjete në 2021-in me rritje 9,4% nga një vit më parë.
Ndërkohë shifrat e institutit të statistikave tregojnë se nga 3 600 kilometra rrugë në total, Shqipëria ka vetëm 24.7 kilometra autostradë, ndërsa 260 kilometër rrugë janë interurbane kryesore dhe pjesa tjetër janë rrugë të nivele të ndryshme.
Qeveria momentalisht ka dhënë me koncesion për 35 vite një nga akset kryesore në vend, si autostrada Milot – Fier, ndërkohë që vazhdon të ketë 7 kantiere të hapura për rrugët, ku në pjesën juglindore të vendi në akset si Qukës Qafë Pllocë dhe Korçë, Ersekë projektet janë zgjatur më shumë se 13 vite.
Diskutime rreth kësaj post