Shqipëria do të shpenzojë mbi 3.5 miliardë lekë apo rreth 32 milionë euro në dy vite për menaxhimin e vijës kufitare të vendit, të gjatë 1 mijë e 94 kilometër. Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për Planin e Veprimit 2024-2025.
Sipas dokumentit, gati 1.9 miliardë lekë do të shpenzohen për menaxhimin e 657 km vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse e lumenjve dhe 73 km e liqeneve. Pjesa tjetër e parave do të shkojnë për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve në dogana si dhe për të pritur e trajtuar azilkërkues me kombësi të ndryshme.
“Bazat e ndërhyrjeve dhe veprimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit kanë të bëjnë me përmirësimin dhe përafrimin e kuadrit ligjor në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, ngritje të kapaciteteve, forcimin e qasjes parandaluese ndaj formave të krimit ndërkufitar, përmirësimin e shkëmbimit të të dhënave me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, modernizimin dhe lehtësimin e shërbimeve dhe qarkullimit të shtetasve dhe mallrave.”
Veç rritjes së sigurisë në gati 29 mijë kilometër katrorë sipërfaqe të vendit, Plani i Veprimit vlerëson Ministria e Brendshme është edhe një hap më pranë Bashkimit Europian.
“Plani i Veprimit mbështet synimin strategjik e politik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, përmes progresit dhe konsolidimit të institucioneve, rritjes dhe modernizimit të kapaciteteve, përmirësimit të infrastrukturës dhe sistemeve, modernizimit dhe lehtësimit të shërbimeve, forcimit të bashkëpunimit institucional, rajonal dhe ndërkombëtar.”
Pjesa më e madhe e parave që do të shpenzohen për zbatimin e Planit të Veprimit 2024-2025, 2.7 miliardë lekë apo 78 për qind e totalit do të dalin nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër do të mbulohet nga shtete partnere si ato të Bashkuara të Amerikës apo vendet e Bashkimit Europian.
Diskutime rreth kësaj post