Nga Shpëtim Nazarko*
Shumica e analistëve këto kohë i bien vërdallë historisë me lloj-lloj analizash, pse Meta kundërshton vajtjen në zgjedhje pa prezencën e PD-së. Por pothuajse asnjë nuk e thotë cilat janë arsyet reale. Ka shumë teori konspirative poshtë e përpjetë, e pastaj fillojnë argumentet po të tipeve të ndryshme. Megjithëse e kam shprehur disa herë opinionin tim, po e ripërsërit atë shkurt. Kjo edhe për të ilustruar idenë se me gjithë peshën në koalicion, marzhi i manovrës së tij ka qenë dhe mbetet plotësisht i kufizuar.
Pozicioni i të folurit të Metës në rolin e ekuilibristit nuk ka të bëjë fare me atë të kryeparlamentarit. Këtij pozicioni të fundit do t’i shkonte gjuha e paqes, vetëm nëse së pari do të tregonte Kushtetutën dhe çfarë ndodh nëse nuk respektohet ajo. Si partiak, ai mund të flasë brenda të drejtës së tij, por edhe në këtë rast, meqë i pëlqen roli i ekuilibristit, përsëri do të duhet të tregojë në radhë të parë Kushtetutën e pastaj të na tmerrojë me historira destabiliteti, etj., etj. Ndryshe, më shumë se popullin, do të trembë të huajt që janë duke bërë sehir dhe po shohin me qetësi duke pritur vetting-un dhe, në anën tjetër, se kush po i fryn zjarrit.
Po pse i përzien rolet si partiak dhe kryeparlamentar Meta?
Rreziku i parë për partinë e tij dukej pjesëmarrja në koalicionin e 2017-s edhe të PDIU-së dhe FRD-së. Pjesëmarrja e dy faktorëve të tjerë e bën jo aq shumë të nevojshëm rolin e tij në koalicion. Numri magjik 71 sigurohej ndoshta dhe pa të dhe në këtë rast, siç i është shprehur Meta vetë, do të shkonte në opozitë, sepse ai nuk rri bisht i asnjeriu.
Ky rrezik duket se nuk ekziston në horizont, nëse sjell në mendje qëndrimet e fundit të PDIU-së, që e kupton që PS mund ta sakrifikojë në emër të aleatit më të madh. Kjo shihet qartë edhe sepse PDIU ka filluar të kërcënojë se dhe ajo nuk vete në zgjedhje nëse nuk futet PD-ja. Qëndrimi i PDIU duket i llogjikshëm, pasi nuk ka asnjë rrugë tjetër zgjedhje. Është megjithatë manovër në boshllëk, sepse, nëse vërtet në zgjedhje nuk vete as PD dhe as LSI, atëhere PDIU është më e favorizuar të marrë vota më shumë se duhet. Dhe PDIU nuk ka pse të ketë turp. Ashtu si PBDNJ, për shkak të çështjes së saj, i intereson vetëm pjesëmarrja në qeveri, kushdo që e fiton atë.
Rreziku i dytë i Metës vjen nga mosmarrja pjesë në zgjedhje e PD-së. Ajo mund të marrë vota shumë mbase dhe beneficie të tjera nga PS, po përsëri i duken pak. PS mund të bëjë shumë më tepër se 71 vota dhe bashkë me të vegjlit e tjerë, bën më shumë reforma sesa ka bërë me LSI. Thënë shkoqur, nuk i hyn aq shumë në punë LSI në këtë rast.
Po me se mund ta kushtëzojë Meta aleatin e madh?
Të bashkojë votat me PD dhe PDIU, Blushin & kompani, për të rrëzuar Ramën në parlament? Ky variant, edhe nëse realizohet, do të ishte i barabartë me vetasgjësimin e LSI-së. Pavarësisht karakterit pragmatik që mban në themelin e saj, ajo është krijuar si një parti më anti-Berishë se PS dikur, duke thithur brenda veteranë apo të pakënaqur nga sjellja tolerante e Nanos. Veç kësaj, kjo do të krijonte përplasje të atilla me PS, ku gjysma e elektoratit të LSI-së a më shumë, për mendjen time, do të shkonte te partia e vjetër nga ka dalë.
Kërcënimi real do të dukej kur LSI do të tërhiqte anëtarin e saj në KQZ, nëse do të kishte precedent që lidhej me prishjen e zgjedhjeve në Kavajë. Kjo do të dukej sikur do të justifikonte sjelljen dhe paralajmërimet e saj për destabilitet. Megjithëse duket e llogjikshme një sjellje e tillë, me njohuritë minimale që kam në këtë punë, kjo ka pak mundësi të ndodhë. Në planin ligjor, prishja e KQZ-së do të vinte në funksion Kolegjin zgjedhor dhe do të vinte në vështirësi vetë LSI-në. Pa llogaritur këtu që vetë KQZ mund të arrinte riformulimin me 7 anëtarë. Kjo me anë të numrit 71, që shërben për të krijuar një anëtar të ri në mungesë të LSI-së. Edhe vetë Blushi, apo armiku i madh i Ramës, besoj nuk do ta linte këtë mundësi të artë për të zyrtarizuar partinë e tij të re në këtë situatë të begatë për të…
Këtu duhet të llogaritim edhe faktorin ndërkombëtar. Megjithëse po hesht, ai një sy e një vesh e mban hapur, jo aq shumë për faktin se kush i fiton zgjedhjet, por për Vetting-un.
Pra, mundësitë e LSI-së për të ndihmuar PD-në në sherrin e krijuar, janë më të pakta sesa duken. Në sherrin apo tymnajën e madhe që mund të krijohet apo nxitet për t’u bërë e tillë, mungojnë faktorë madhorë që nuk të lënë t’i kthesh manovrat në realitet.
Në një drejtim tjetër, a mund të llogaritet një bashkim i drejpërdrejtë i LSI-së me PD-në? Siç e kam shkruar shpesh, nuk e besoj këtë variant. Dhe kjo jo për ndonjë arsye ideologjike. Këtu, më në fund, janë bindur se të tërë vijnë nga e njëjta origjinë dhe shakatë ideologjike nuk bindin asnjë, apo ndoshta vetëm militantë qorra, që për shkaqe të pafundme po zënë e pakësohen. Nuk janë vetëm privatizimet e mëdha njëzet vjeçare, por edhe reforma territoriale, që pakëson gjthnjë e më shumë rolin e militantëve që zënë e kuptojnë se nga sherri i madh nuk fitojnë asgjë. E aq më shumë se në një aleancë paraprake PD-LSI, gjithnjë mendoj se votat, kur të numërohen, më të shumtat do t’i ketë LSI, e kjo veçanërisht në fshat…
Duket se megjithatë guri i provës ka ngelur Kavaja, ku PD-ja, siç edhe po thotë lideri aktual, mund të jetë testi ku mund të provohet destabiliteti, që pastaj të justifikohen sjelljet e Bashës apo të Metës. Po sa mund të besohet në Kavajë, apo bastionin e dikurshëm të demokratëve?
Sido që të gjykojmë ngjarjet e fundit atje, të cilat shoqëruan largimin e kryebashkiakut socialist Elvis Rroshi, zor të mendohet se Kavaja është ai bastioni i dikurshëm. Në këto njëzet e pesë vjet, Kavaja, ashtu si edhe Kamza, janë shembujt më të këqinj të qeverisjes demokrate. Po nëse Kamza edhe justifikohet për shkak të heterogjenitetit të madh të këtij qyteti, që numëron rreth 300 mijë apo më shumë banorë pas 90-s, Kavaja nuk ka asnjë justifikim. Ky qytet i tipit tregtar, në këto njëzet e pesë vjet, është qeverisur tmerrsisht keq nga demokratët. Mjafton të hedhësh një sy nga autostrada për të kuptuar se në çfarë xhungle të lemerishme duhet të ketë notuar e jetuar ky qytet.
A mund të shërbejë ai si provë apo miniprovë e vitit 91, ku u shndërrua në bastionin e demokratëve apo vetë Berishës? Mendoj se ujërat e rrjedhura të njëzet viteve mjaftuan për të kuptuar se qyteti nuk u ndreq, po u prish shumë më tepër sesa duhej.
Natyrisht, mund të ketë falanga miltantësh, që do të duan ta prishin qetësinë në ditën e zgjedhjeve, po mendoj se kaq do të ishte e pamjaftueshme për të ngritur tymin e rrëmujës mbarëkombëtare.
Me përfundimin e zgjedhjeve në Kavajë, besoj se mbaron edhe aleanca PD-LSI, e cila, sido që të furnizojë teori konsiprative me bollëk, ka jo shumë baza reale të ndodhë.
Diku po shihja Metën sot në një forum. Iu rikthye edhe njëherë idesë se zgjedhjet do të bëhen në datën 18 qershor, duke mos e përmendur më atë «Qeverinë e besimit». Ishte duke forcuar përsëri gjuhën kundër dy partive të mëdha. PS-në e akuzonte për arrogancë dhe PD-në për ultimatum. Në vazhdën e sjelljeve të të gjitha këtyre kohëve, është brenda normales së saj fjala që ai mbajti sot. Në raste krize, LSI do të mundohet të marrë sa të jetë e mundur nga aleati i saj i madh. Mund të mendohet se ajo, apo kryetari i saj, e urrejnë aq shumë Ramën, sa mund të bëjnë hatanë. Mundet, por vetëm në këtë rast, më kujtohet poezia e njohur e Dritëroit, që për kënaqësi të lexuesit po e rikujtoj apo perifrazoj siç më vjen ndërmend:
Tërë natën, u mendua Aliu ta rrihte Masarin,
por në mëngjes thyente shkopinjtë dhe shihte i menduar zjarrin…
Për ta mbyllur, mund të ripërsërit titullin e këtij artikulli. Mos u sillni vërdallë kot, djema, çapni në punë. Shqipëria e vjetër ka rënë me kohë…(Konica.al)
*Titulli origjinal: Mos u sillni vërdallë kot, djema, çapni në punë
Diskutime rreth kësaj post