Shqipëria e aventurës në vëmendjen botërore
Kanionet e Osumit në Skrapar kanë marrë një vëmendje të veçantë gjatë ditëve të fundit dhe kësaj radhe nuk bëhet fjalë vetëm për rafting, por për dicka më të madhe dhe gjithëpërfshirëse.
Albanian Adventure Resort është projekti më i ri i nisur prej Federatës Shqiptare të Rafting, një nismë e vlerësuar edhe nga Federata Ndërkombëtare e Rafting, që e konsideron këtë qendër, një arritje në kuadër të zhvillimit të rafting dhe aktiviteteve të tjera në natyrë.
Christopher Doyle, Drejtori Ekzekutiv për Europën i ATTA ( Adventure Travel Trade Association) Shoqata e Turizmit të Aventurës, promovoi me entuziazëm hapjen e kësaj qendre duke e quajtur “një nga iniciativat me frymëzuese, inovative, kreative dhe praktike që do të arrijë ta çojë përpara turizmin e aventurës në Shqipëri”.
Albanian Adventure Resort është një partneritet publik privat i themeluar nga Federata Shqiptare e Rafting dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kjo qendër ka si qëllim ndryshimin e jetës se komunitetit përmes aktiviteteve sportive në natyrë dhe arsimit profesional në fushën e turizmit aventurës dhe mikpritjes.
AAR shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur, dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Aspekti ekologjik dhe risia që sjell AAR për zonën, u vlerësua dhe me çmimin ndërkombëtar Green Apple Award (tetor 2015), mes 500 projektesh të tjera në të gjithë botën.
AAR do të ofrojë trajnimin dhe punësimin e guidave të licensuara në fushën e turizmit të aventurës dhe zhvillim të aktiviteteve dhe sporteve në natyrë me standardet më të larta ndërkombëtare. Projekti ka marrë tashmë një nisje të vrullshme me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe në muajt në vijim pritet të përfundojë ndërtimin e fazës së parë.
AAR synon të transformojë jetën e komunitetit përreth duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve të zonës.
Albanian Adventure Resort, njihemi me mendjen pas idesë…
Blerina Ago, një sipërmarrëse 28-vjeçare e lindur dhe rritur në qytetin mahnitës të Beratit tregon për ATSH-në si ka rrjedhur jeta e saj midis qytetit e kanioneve të Osumit dhe iniciativën e saj më të re, Albania Adventure Resort, ose si ajo e quan atë “parku i lojrave në natyrë”.
Blerina, sa kohë ka kaluar nga hera e parë që je futur në lumë me gomone mes kësaj natyre mbresëlënëse?
Jam rritur në Berat dhe kujtimet e para të fëmijërisë i kam gati të gjitha të lidhura me lumin. Në fakt para pak kohësh, po e diskutoja dhe me tim atë teksa po shihnim fotot e mia rreth 6 apo 7 vjeç duke notuar në Osum. Pas disa vitesh isha shndërruar në një çunak dhe mund të isha 12 apo 13 vjeçe kur vendosa të hyja në lumë me gomone me fëmijët e tjerë. Për shumë ishte e pabesueshme që hyja në lumë dhe kam dëgjuar përditë prindërit, mësuesit apo shoqet që më thonin “Blerina ç’po bën, je në vete, është e rrezikshme”, etj…
Kur e vendose që rafting do të bëhej sporti dhe pasioni yt?
Është e çuditshme pasi tani më duket sikur gjithmonë e kam ditur se rafting ishte një pjesë e imja. Por pa dyshim hera e parë kur ndjeva adrenalinën dhe përplasjet e ujit në fytyrë ka qënë momenti kur unë u lidha përgjithmonë me rafting. Si unë ishte dhe një grup të rinjsh të fiksuar pas adrenalinës dhe entuziazmit që jepte rafting. Me këtë grup shkonim gati përditë gjatë muajve të ngrohtë me gomonet tona modeste të asaj kohe për të sfiduar veten mes rrëmbesave të reja. Përveç adrenalinës ne kishim mundësinë të shijonim dhe bukuritë e kanioneve të Osumit dhe ndiheshim se duhet t’ja tregonim këto bukuri dhe miqve e familjarëve tanë. Ndjenim një shtysë shumë të madhe që t’i bënim kanionet e Osumit dhe rafting të prekshme për këdo. Vendosëm të investojmë pasionin dhe energjinë tonë për ta bërë këtë sport atë që është sot, një nga produktet turistike më të suksesshme në vend.
Çfarë të pëlqen më shumë tek rafting?
Te rafting më pëlqejnë të gjitha dhe krenohem sa herë që shëtis turistë dhe vizitorë me gomone në lumë. Na është dhënë një mundësi e jashtëzakonshme t’i tregojmë gjithë botës se Shqipëria është një thesar për t’u zbuluar. Rafting mbi të gjitha është një nga aktivitetet që të jep mundësinë të njihesh dhe të miqësohesh me njerëz të ndryshëm. Ka shumë energji pozitive, të qeshura dhe miqësi të lidhura me rafting dhe unë kam fatin ta bëj këtë aktivitet çdo vit, çdo sezon. Më motivon shumë të qënit e rrethuar me njerëz dhe është një nga gjërat që them se më pëlqen më shumë tek rafting.
Si u kthye rafting në një aktivitet të suksesshëm turistik në Shqipëri?
Nuk ka ndodhur brenda ditës, por ka rreth 15 vjet, që pas shumë kërkesash nga miqtë dhe familjarët nisëm të bënim shëtitjet e para në kanionet e Osumit. Zamo Spathara një nga të apasionuarit e parë të rafting, tashmë dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, kishte ëndrrën dhe idenë fillestare për ta kthyer pasionin e tij dhe kërkesat e shumta që po merrte, në një eksperiencë të mirëfilltë turistike. Zamo i vuri punët në lëvizje dhe e bëri që rafting të ishte një eksperiencë e prekshme, e sigurtë dhe argëtuese për të gjithë. Ishte ai që më shtyu mua dhe të rinj të tjerë të apasionuar pas rafting të bëhemi guida profesioniste. Si rezultat u themelua dhe FSHR e cila ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të garantuar që rafting ushtrohet sipas standardeve ndërkombëtare. Unë mbaj pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës dhe pjesë e punës time ka qenë të organizoj trajnime të ndryshme, certifikime dhe aktivitete të tjera për të siguruar që secila nga guidat e rafting të jetë e licensuar për të ushtruar këtë aktivitet. Kemi pasur rezultate mjaft të mira deri tani duke mikpritur rreth 5000 vizitorë çdo vit në kanionin e Osumit dhe rrëmbesat e Vjosës.
Çfarë është Albanian Adventure Resort? Si ju erdhi ideja?
Me rafting kemi treguar se çdo sezon, për gati 15 vjet me radhë, ka qenë i suksesshëm dhe kemi arritur shumë. Kur them arritje, nuk nënkuptoj këtu vetëm promovimin dhe standardizimin e rafting, por gjithashtu promovimin e turizmit të aventurës, mbrojtjes së natyrës dhe punësimit të të rinjve. Kemi pasur fatin të kemi vemendjen dhe mbështetjen e të gjithëve gjatë këtyre viteve dhe së fundmi të gjithë ose kanë bërë, ose duan të bëjnë rafting.
Ky fluks vizitorësh në rritje shpesh na ka sjellë para pamundësisë për t’i akomoduar të gjithë dhe shpesh na është dashur të mos pranojmë më shumë se një ose dy grupe në një ditë. Edhe pse organizoheshim mirë, kishim paisjet e nevojshme dhe guida të certifikuara për ta përballuar këtë fluks, largësia e bazës sonë nga kanionet e Skraparit na e bënte të vështirë të transportonim njërin grup dhe të vazhdonim me grupin tjetër brenda ditës.
Na duhej një bazë në afërsi të kanioneve dhe itinerareve të rafting në atë zonë nuk gjendej asgjë përveç një reparti ushtarak të braktisur. Këtu na lindi idea e shfrytëzimit e asaj çfarë ishte aty, ngjitur me kanionet e Osumit. Na erdhi idea për të rivitalizuar ish repartin ushtarak dhe kthimin e tij në një qendër pritëse për rafting dhe sporte të tjera në natyrë. Na mbetej të bënim çfarë kishim bërë deri tani: të besonim te ëndrrat tona të punonim fort dhe të vepronim.
Vendosëm t’ja shpjegonim idenë qeverisë për të na dhënë lejen e përdorimit të hapësirës për qëllime turistike. Ideja u pëlqye dhe së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit krijuam një partneritet publik-privat. Menjëherë pas nënshkrimit të akteve, zhvilluam dhe planin e biznesit të qendrës me ndihmën e disa ekspertëve ndërkombëtarë dhe zhvilluam projektin arkitekturor për rindërtimin e repartit me një studio arkitekturore. Tani që flasim po punojmë për përfundimin e fazës së parë të ndërtimit të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Cili është roli juaj Blerina në Albanian Adventure Resort? Si do të funksionojë qendra?
Nuk është se nuk më pëlqen të bëj disa gjëra njëkohësisht, më pëlqen shumë! Unë mbaj pozicionin e administratores së qendrës dhe e kam marrë përsipër këtë përgjegjësi sepse kam shumë besim se do ta çoj deri në fund këtë iniciativë. Është sfiduese për çdo vajzë të re në botë dhe sidomos në Shqipëri të marrë një pozicion lidershipi, kjo pasi shoqëria jonë është ndërtuar në këtë mënyrë. Unë jam sprovuar shumë gjatë rrugës time këtu dhe po përpiqem që përveç punës time të frymëzoj dhe vajza të tjera të reja ambicioze si unë, përmes një modeli pozitiv të punës dhe këmbënguljes si mënyra e vetme drejt suksesit.
Për sa i përket projektit Albania Adventure Resort, ne i kemi vendosur qëllimet dhe objektivat tona dhe po punojmë për të arritur objektivin e këtij viti (2016), që është përfundimi i godinës pritëse të vizitorëve dhe akomodimeve fillestare. AAR po implementohet në tre faza të shtrira në një periudhë 5- vjeçare, kështu që presim vit pas viti të zbulojmë surprizat që do të sjellë kjo qendër.
Që t’ju shuaj kureshtjen, gjatë dy viteve të para do të përqëndrohemi që të realizojmë këto objektiva: 1. zhvillimi i 5 sportve dhe aktiviteve në natyrë përvec rafting (kayaking, trekking me biçikleta malore, snow-shooing, eksplorim kanioni dhe hydrospeed) në zonën përreth qendrës. 2. zhvillimi i programeve jashtëshkollore për periudhat e pushimeve pranverë-verë-dimër për nxënës të shkollave të mesme dhe studentë. 3. ofrimi i trajnimeve dhe certifikatave si profesionistë në fushën e turizmit dhe guidë turistike për të rinj që duan të investojnë në një karrierë në turizmin e aventurës apo menaxhimin e turizmit, etj.
Deri tani kemi pasur mbështetjen e disa organizatave dhe institucioneve përmes fondeve dhe ngritjes së kapaciteteve për qendrën, pasi është një projekt gjigand për Shqipërinë, Ballkanin dhe vetë industrinë e turizmit dhe sporteve në natyrë. Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë. Megjithatë kush dëshiron të na bashkohet dhe të japë kontributin e tij për zhvillimin e kësaj qendre është i mirëpritur të na kontaktojë apo të na vizitojë në sezonin e ardhshëm që fillon në mars 2016 në kanionet e Osumit, në Skrapar.
Diskutime rreth kësaj post