Në një kodër të Shqipërisë së Veriut qëndron një portë drejt së shkuarës komuniste të vendit. Një derë çeliku masive hapet për të zbuluar një ish-bazë ajrore, të fshehur në zemër të malit.
Këtë përshkrim përdor agjencia e lajmeve “AFP” për bazën e ndodhur në Gjadër, të përbërë nga 600 metra tunele që dikur gjallonin nga jeta ushtarake, e që sot është kthyer në depo për dhjetëra avionë “MiG” të periudhës komuniste, që mbulohen nga pluhuri në errësirë.
Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, autoritetet shqiptare ende po përpiqen të shesin avionët sovjetikë dhe kinezë, nga të cilët ka me dhjetëra të tjerë edhe në një bazë ajrore të ndodhur aty pranë.
Interesi për këta avionë nuk është se mungon. Ata kanë tërhequr vëmendjen e muzeve dhe të koleksionistëve privatë. Biznesmeni francez, Julien Roche ka firmosur për blerjen e një modeli “MIG -15”.
“Nuk është e lehtë ta gjesh këtë lloj avioni në ditët tona, sepse thuajse të gjithë ata janë shkatërruar e nuk janë ruajtur si këtu në Shqipëri”, tha Julien Roche, biznesmen francez.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Bardhyl Kollçaku tregon se vetëm një pjesë e avionëve mund të mbahen në muze.
“Çfarë do të ndodhë me MIG17 dhe 19? Përveç nostalgjisë, ne do t’i mbajmë disa prej tyre në muzeun tonë që mund të shihni pas meje, e gjithashtu në muzeun që ne kemi ndërtuar në Forcat tona të Armatosura dhe në bazën e Kuçovës, por pjesa tjetër do të trajtohet sipas legjislacionit të brendshëm, për shitje ose përdorim tjetër”, tha Bardhyl Kollçaku.
Avionët e periudhës komuniste përfshijnë mes të tjerësh modele “MiG-19”, “MiG-17” dhe “MiG-21”. Kur Shqipëria foli për herë të parë për shitje në vitin 2016, kërkesa erdhën nga Muzeu Ajror e Hapësinor në Francë, si dhe nga një shkollë fluturimi në Gjermani. Megjithatë, asnjë shitje nuk ka përfunduar deri më sot, pasi procesin po e ngadalëson dokumentacioni./TCH
Diskutime rreth kësaj post