Me Spanjën e eliminuar nga Kupa e Botës në fazën e 1/8-tave nga Maroku, i erdhi fundi edhe rrugëtimit të trajnerit Luis Enrique në krye të “La Furia Roja” me 52-vjeçarin që ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në trajnimin e një klubi.
Nga ana tjetër, Enrique vijon me risinë e tij për të komunikuar online me ndjekësit e tij nëpërmjet platformës Twitch ndërsa së fundmi theksoi se asnjë nga gjysmëfinalistet aktuale të Katar 2022, nuk është më e mirë se Spanja e tij. Ndër të tjera, ish-tekniku i Barcelonës, shtoi se nuk e preferon një përsëritje të Rusi 2018.
“Kritikat? Unë iu them gjithnjë lojtarëve të mi se ata që kritikojnë, janë edhe admiruesit e tyre më të mëdhenj. Janë persona që flasin pas një ekrani dhe shfryhen aty. Unë besoj se ata njerëz na duan, por nuk e kuptojnë dëmin që shkaktojnë.
Finalja e Botërorit? Unë nuk dua një përsëritje të Kroaci-Francë. Shpresoj që turneun ta fitoj Maroku, ndjej që Spanja humbi një shans të madh sepse kishim një grup shumë të mirë futbollistësh. Shoh skuadrat që janë në gjysmëfinale, dhe kuptoj që askush nuk është më i mirë se ne, më vjen keq për futbollistët.
Jemi përpjekur që t’i bindnim lojtarët që kishin një mundësi të shkëlqyer për të fituar dhe në fazën e parë treguam një nivel të mirë. Pastaj kundër Marokut ishte e vështirë të shënoje gol, por ishte faji im”, tha Luis Enrique.
Diskutime rreth kësaj post