Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur dje në lidhje me ndalimin e hyrjes në SHBA për Adriatik Llallën si dhe për tërheqjen që ai bëri nga sistemi i drejtësisë duke i shpëtuar Vetingut.
Berisha u shpreh se ai nuk mund të pohojë dhe as të qortojë vendimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tilleron, që i ndalon hyrjen në SHBA, ish-kryeprokurorit.
Berisha tha më tej se ‘’një shtetar si Tillerson besoj se ka baza që e ka marrë një vendim të tillë, por nuk jam në dijeni të aferave korruptive mbi të cilin mund të jetë marrë ky vendim’’.
Si e komentoni vendimin e SHBA për Adriatik Llallën?
Vendimin e sekretarit Tillerson… natyrisht komentin kryesor duhet ta bëjë Adriatik Llalla. Për të ai vendim është i marrë, unë s’mund të them kur nuk di aferat për të cilat është marrë.
Si ish-kreu i organit të akuzës dhe ish-kreu i ILDKP a duhet t’i nënshtrohet Llalla vettingut?
Absolutisht unë e quaj veprim të gabuar nenin e heqjes së vettingut. Ai është një pragmatizëm i diktuar nga të huajt por jo i ndershëm. Në qoftë se unë kam shkelur, kam krijuar akte korruptive, kam gëzuar pasuri të paligjshme unë nuk duhet t’i gëzoj. Por Kushtetuta ka bërë një amnisti. E ka ndaluar Kushtetuta vettingun. Gjykatësi dhe prokurori që tërhiqet nga detyra ndërpritet vettingu. Çdo vendim i Kushtetueses është normë kushtetuese. Nëse ka të dhëna për çdo njeri Prokuroria duhet të nisë hetimin, jo pse refuzoi. Unë nuk do isha dakord me ndërprerje vettingu.
Opozita bëri një betejë në parlament kundër Arta Markut, a jeni penduar?
Opozita bëri betejë kundër Edi Ramës kryeprokuror, kjo është gjithçka.
A është Llalla një peshk i madh?
Unë nuk mund të shpall asnjë njeri të pa akuzuar as peshk të madh e as peshk të vogël. Këtë mund ta bëjë Edi Rama.
I përfshirë në akte korrupsioni tha Tillerson, ju e besoni?
S’mund të them as po e as jo pa ditur konkretisht aktet. Mendoj që në princip se një vendim i tillë i një shtetari si Tillerson duhet të ketë baza dhe jashtë një baze solide nuk mund të merrej një vendim i tillë.
Diskutime rreth kësaj post