Një shpërthim vullkanik nisi të hënën mbrëma në gadishullin Reykjanes të Islandës, duke ngritur në gjendje të lartë gatishmërie mbrojtjen civile e vendit.
Shpërthimi duket se ka ndodhur rreth katër kilometra nga qyteti i Grindavikut, tha Zyra Meteorologjike Islandeze.
“Rrjedha e magmës duket të jetë të paktën njëqind metra kub në sekondë, ndoshta më shumë. Pra, ky do të konsiderohej një shpërthim i madh të paktën në këtë zonë”, tha Vidir Reynisson, kreu i Mbrojtjes Civile dhe Menaxhimit të Emergjencave të Islandës për transmetuesin publik islandez, RUV.
Në nëntor, policia evakuoi qytetin e Grindavikut pasi aktiviteti i fortë sizmik në zonë dëmtoi shtëpitë dhe ngriti frikën e një shpërthimi të afërt vullkanik.
Islanda ndodhet mbi një pikë të nxehtë vullkanike në Atlantikun e Veriut dhe mesatarisht përballet me një shpërthim vullkanik në katër deri në pesë vjet. Më shqetësuesi në kohët e fundit ishte shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull në vitin 2010, i cili ngriti shtëllunga të dendura tymi dhe hiri në atmosferë, duke ndalur fluturimet në Evropë për ditë të tëra për shkak të frikës se hiri mund të dëmtonte motorët e aeroplanëve.
Shkencëtarët thonë se një shpërthim i ri ka të ngjarë të prodhojë lavë, por jo re hiri.
Grindavik, një qytet peshkimi me 3400 banorë, ndodhet në gadishullin Reykjanes, rreth 50 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të vendit, Reykjavik dhe jo shumë larg aeroportit Keflavik, i vetmi aeroport ndërkombëtar në Islandë./VOA
Diskutime rreth kësaj post