Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i kërkuar nga kryeparlamentari Ilir Meta për çështjen Balili, ka thelluar konfliktin institucional në vend.
Presidenca dhe Kryeministria janë përplasur sërish, pasi, në mungesë të Kryeministrit Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka kërkuar që qeveria të përfaqësohet me zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Por përgjigja e Presidencës ka qenë refuzimi.
Burime nga Presidenca thanë për Top Channel se kryeministri duhet t’i ishte drejtuar vetë më parë me një kërkesë presidentit për t’i treguar arsyet e mospjesëmarrjes. Dhe nëse presidenti do ta pranonte, kryeministri mund të autorizonte dikë tjetër për ta zëvendësuar. Për rastin konkret, presidenti nuk sheh asnjë arsye objektive për të përligjur mungesën e kryeministrit dhe për të pranuar zëvendësin e tij.
Këto zhvillime, një ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kanë vënë në lëvizje ambasadorin amerikan Donald Lu.
Ai është takuar fillimisht me shefen e kabinetit të kryeministrit, por detajet mungojnë plotësisht. Burime jozyrtare tregojnë se në qendër është konflikti për Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Një hamendësim që përforcohet nga takimi me ministrin e Brendshëm që ambasadori zhvilloi menjëherë më pas. Por, ambasadori amerikan nuk ka mundur të takojë presidentin e Republikës, edhe pse i kërkoi atij një takim gjatë të enjtes.
Stafi i presidentit nuk pranoi të komentojë përse presidenti e refuzoi ambasadorin amerikan. Të enjten në mesditë, presidenti u takua me kryeprokurorin Adriatik Llalla, aktualisht në konflikt të hapur me ambasadorin amerikan dhe me informacion të thelluar për çështjen “Balili”.
Diskutime rreth kësaj post