Deputeti Ben Blushi ka ashpërsuar gjuhën ndaj kryeministrit Edi Rama.
Blushi deklaroi në emisionin “Opinion” se njerëzit që po qeverisin sot Shqipërinë janë mediokër.
“Kjo është një qeveri e paaftë, nuk hyj në një qeveri me Edi Ramën, larg qoftë. Njerëzit që po qeverisin Shqipërinë janë mediokër, nuk mundet që të futem në një qeveri me këta njerëz. Jam për të rrëzuar këtë qeveri, por jo për të rikthyer PD, në këtë vend nuk ka opozitë” u shpreh Blushi në Opinion.
Blushi tha më tej se i përgjojnë telefonin.
Deputeti socialist tha se dikush e kishte marrë në telefon dhe se i kishte thënë se celulari i tij përgjohej.
Bëhet fjalë për një person brenda PS-së, i cili sipas Blushit e mbështeste atë por kishte një “hall”. Sipas Blushit, ai kërkonte të fuste djalin në punë dhe kërkonte ndihmën e pazakontë të Blushit.
Personi në fjalë, duke qenë i bindur se Blushi përgjohej në telefon, i propozoi që të kryenin një bisedë bashkë, ku ai e kundërshtonte të gjithë aktivitetin politik të Blushit që të “rregullonte biografinë”.
“Dikush në PS më tha mua se më përgjohej telefoni. Unë këtë nuk e besoj, por nuk është ky thelbi. Ky njeri më kërkoi që ta ndihmoja t’i fusja djalin në punë dhe unë i thashë që s’kam gjë në dorë. Por ai, duke qenë i bindur se telefoni im përgjohej më tha se mund të improvizonte një bisedë telefonike me mua sikur më shante dhe kundërshtonte që përgjuesit ta merrnin me sy të mirë dhe të rregullonte biografinë për të futur djalin në punë”, tha Blushi.
Blushi preku probleme të thella si mosrënia e papunësisë, mosulja e çmimit të naftës që preku gjithë botën, si dhe justifikimi i qeverisë se shqiptarët që ikin ën emigrim, janë shqiptarë emigrantë nga Greqia.
Ben Blushi nuk ka lënë pa thumbuar Ramën për mosqetësinë që shfaqi në praninë e tij të fundit në “Opinion”, ku u kap në disa momente të sikletshme, ku gjymtyrët e poshtme e tradhëtuan. Ky moment nuk i ka shpëtuar as Blushit i cili shtroi një pyetje: Pse dridhet Rama?
Akuzave të Taulant Ballës se ndryshe flet në parti dhe ndryshe në publik, Blushi i është përgjigjur se “në çdo parti ka edhe ballistë edhe partizanë dhe unë jam partizan”.
Blushi i është përgjigjur interesimit të gazetarit Fevziu se përse ai ka zgjedhur të publikojë në këtë moment një libër të quajtur “Letër një socialisti”. Dhe a ka lidhje me kjo zgjedhjet që po afrojnë në këtë parti.
“Ky libër, janë disa shkrime ose disa kritika të mia përsa i përket trevjeçarit, mënyrës së qeverisjes, mënyrës së drejtimit të Partisë. Më këtë i përgjigjem edhe pyetjes pse po flas tani. Janë 10 letra që i drejtohen anëtarësisë së Partisë Socialiste, janë 10 letra që përcaktojnë çfarë po ndodh në Partinë Socialiste”, tha Blushi.
Diskutime rreth kësaj post