Shpërblimet e fundvitit mund të tërhiqen që sot në Postë, zyrat të hapura deri në orën 20:00
Posta Shqiptare
TIRANË – Duke filluar nga sot, personat që përfitojnë shpërblimin e fundvitit mund të paraqiten në zyrat e Postës Shqiptare, të cilat do të jenë të hapura deri në orën 20:00 të mbrëmjes.
“Posta Shqiptare njofton të gjithë personat të cilët janë përfitues të shpërblimit në masën 20 mijë lekë të vjetra, të përcaktuar në VKM nr.1083, datë 28.12.2015, të cilët marrin pension apo trajtim te veçante financiar nga ISSH, se duke filluar nga data 29 dhjetor e në vazhdim mund t’u drejtohen zyrave postare të pensioneve për të tërhequr shpërblimin.
Për një shërbim më të shpejtë dhe efikas, zyrat postare të pensioneve do të jenë të hapura nga ora 07:30 deri në orën 20:00”- thuhet në njoftimin e Postës Shqiptare.
Këtë vit, vendimi për shpërblimet është marrë në datë 28 dhjetor, dhe përfituesve u mbeten vetëm tri ditë kohë për të marrë shpërblimin. Qeveria ka miratuar dje vendimin “Për shpërblimin dhe kompensimin e disa kategorive të veçanta për festa të fundvitit”.
Shpërblimi do të jetë vetëm 2 mijë lekë, i njëjtë për të gjithë pensionistët. Këto të fundit do të marrin që sot paratë në sportelet e postës. Edhe pse emërtohet “shpërblim për festat e fundvitit”, vështirë se 613 mijë pensionistët përfitues do të arrijnë ta marrin atë brenda tri ditëve të fundit të këtij viti. Megjithatë, shpërblimi për pensionistët nuk humbet. 2 mijë lekët e shpërblimit të miratuara dje mund të tërhiqen edhe pas datës 31 dhjetor. Por kush ka nevojë, mund t’i marrë ata edhe gjatë tri ditëve të fundit të këtij viti. Shpërblimi është i njëjtë për të gjithë pensionistët.
KATEGORITË DHE SHPËRBLIMI
68 mijë përfitues si pjesë e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara, 20 mijë lekë
372392 pensionistë, pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar, me 20 mijë të vjetra
145 580 persona që marrin pension të kooperativave bujqësore, 20 mijë lekë
Personat me trajtim të veçantë për punë e kryer në miniera dhe ndërmarrje të industrisë ushtarake, 20 mijë lekë
Personat që marrin pension të parakohshëm, 20 mijë lekë
81 mijë kryefamiljarë që trajtohen me kompensim për energjinë, 20 mijë lekë
Shpërblimi për merita të veçanta
Nxënësit me dhjeta, 50 mijë lekë
Studentët e ekselencës, 50 mije lekë
Gjithë grupi i mësuesve të spikatur, 400 mijë lekë
300 persona të dalluar në shërbimin spitalor publik të vendit, kryesisht infermiere, por edhe në raste të veçanta mjekë, 400 mijë të vjetra.
Diskutime rreth kësaj post