Vitin e ardhshëm buxheti i shtetit do të shpenzojë 467.2 miliardë lekë ose mbi 3.4 miliardë euro. Kjo është sa 29.3 për qind e prodhimit kombëtar të vendit, duke e bërë qeverinë aktorin më të madh të ekonomisë. Por kush janë përfituesit kryesor nga shporta e madhe e shpenzimeve qeveritare?
Në Shqipëri, departamenti më i madh i shpenzimeve publike është ai i fondeve speciale. Ky departament përfshin pagesat për pensionet, sigurimet shëndetësore dhe kompesimin e pronarëve. Në vitin 2017 të tre këto zëra marrin 162.1 miliardë lekë ose gati 34.6 për qind të të gjithë buxhetit të shtetit.
Në vendin e dytë, janë shpenzimet e personelit. Sipas projektbuxhetit, vitin e ardhshëm qeveria do të paguajë rreth 74.8 miliardë lekë për pagat e administratës publike duke përfshirë edhe sigurimet shoqërore.
Thuajse e njëjta shumë parash shkon për investimet publike, të cilat janë zëri i tretë më i madh i shpenzimeve të buxhetit. Më konkretisht, investimet në veprat publike vitin tjetër do të jenë 74.4 miliardë lekë duke marrë gati sa 16 për qind të shpenzimeve qeveritare.
Kostot e operative dhe interesat e borxhit pasojnë në vendin e katërt dhe të pestë. Operacionet e përditshme të administratës dhe mirëmbajtja e aseteve publike si rrugët apo veprat e tjera do të kushtojnë 44.4 miliardë lekë vitin tjetër, ndërkohë që pagesat për interesat e borxhit publik marrin 42 miliardë lekë. Dy zërat e fundit të rëndësishme janë shpenzimet për buxhetin vendor dhe ndihma ekonomike, të cilat marrin respektivisht 40.8 dhe 23.3 miliardë lekë.
Diskutime rreth kësaj post