Shpejtësia në zonat e banuara, do të marrë gjithmonë ndëshkim nga forcat e Policisë së Shtetit, kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërsa përgëzoi policinë e Elbasanit që shoqëroi një drejtues mjeti për shkak të prishjes së qetësisë publike dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Balla falënderoi qytetarët që denoncojnë rastet e prishjes së qetësisë publike.
Postimi:
“Dua të falenderoj qytetarët që denoncojnë rastet e prishjes së qetësisë publike dhe të shkeljes të rregullave të qarkullimit nga persona të papërgjegjshëm. Fenomeni i rëndomtë i ecjes me shpejtësi në zona të banuara do të marrë gjithmonë ndëshkim nga forcat e Policisë së Shtetit”, u shpreh Balla.
Njoftimi i policisë:
“Policia e Elbasanit pas marrjes së një ankese nga qytetarët, ankesë e shoqëruar edhe me video, në të cilën shfaqet një automjet që qarkullonte me shpejtësi në bulevardin “Qemal Stafa”, ka bërë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë të automjetit së bashku me drejtuesin shtetasin K. D. Në vijim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit K. D., 25-vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor u vendos masa administrative me vlerë 40.000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njofton policia.
Diskutime rreth kësaj post