Tapeti i kuq për të 88-n herë është shtruar. Yjet e kinematografisë të dielën (sot) do ta përshkojnë atë, duke u drejtuar kah “Dolby Theatre”, ku mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscars”.
Në njërën prej 24 kategorive, në garë për herë të parë është edhe Kosova me filmin “Shok”, me skenar dhe regji të Jamie Donoughue. “Shok” filmi 21 minutash për luftën e fundit të Kosovës, i nominuar për “Oscar” në “Live Action Short”, është në garë bashkë me filmat “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer”.
Për aktorin Lum Veseli, është fat i madh që “Shok” adhurohet nga bota.
“Me këto shpresa që jemi duke i mbajtur lart do të mbesim dhe më në fund më 28 shkurt të shpërblehemi për mundimin dhe jo vetëm në ekipi, por edhe të gjithë njerëzve që po japin përkrahje kaq të madhe”, ka thënë Lum Veseli (Petriti), që luan rolin e njërit prej protagonistëve të filmit “Shok”.
“Nuk e di se a do ta fitojmë Çmimin ‘Oscar’, por po të them vetëm diçka: ‘Mundi shpërblehet gjithmonë’”, është shprehur Veseli për “Shok”, i bazuar në ngjarje të vërteta. Njëra është kur personazhi shet letra të cigareve për ushtarët serbë, tjetra është kur ushtarët serbë i zbresin udhëtarët nga autobusi dhe i thonë njërit nga personazhet që duhet të mësojë serbisht dhe e fundit është kur ushtria serbe largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vrasin njërin nga protagonistët.
Në një artikull të gazetës “LA Times” janë dhënë vlerësime se cili film do të fitojë Çmimin “Oscar” në kategori të caktuara. Për fitues këtë herë në kategorinë “Live Action Short” e shohin filmin e Kosovës “Shok”.
“Përfundimi i këtij filmi të lë një përshtypje të jashtëzakonshme”, thuhet në artikull, transmeton “Zëri”.
Nëse filmi do të fitonte Çmimin “Oscar”, aktori Besnik Krapi thotë, se do të ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kosovën, sidomos për kinematografinë.
“Javën e kaluar isha në ‘Berlinale’ dhe më besoni që vetëm për shkak të nominimit të filmit ‘Shok’, vëmendja ndaj Kosovës ishte ndryshe”, ka treguar Krapi, i cili beson se “Oscar” do të ishte një kthesë shumë e madhe, ku bota e filmit ta kuptojë se në Kosovë ka potencial të madh artistik e që ia vlen të investohet.
Eshref Durmishi, producent i filmit “Shok”, thotë për “Zërin” se filmi cilësohet si favorit. Por që kjo varet nga votat e anëtarëve të Akademisë.
“I kam parë edhe filmat e tjerë edhe konkurrenca vërtet është shumë e madhe”, ka treguar Durmishi, i cili njëherësh luan në filmin “Shok”.
Ai shprehet se të gjitha filmat janë fitues.
“Sepse të jesh në mesin e pesë filmave më të mirë në botë është vërtet shumë”, ka thënë Eshref Durmishi.
“Pa modesti po e them se është një film shumë i mirë, ku tregon histori humane, histori të vërteta, tregon vuajtjet e popullit tonë dhe do të ishim shumë të lumtur që Kosovës t’ia sjellim këtë çmim”, ka thënë Durmishi.
Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, që ka mbështetur filmin, shprehet se “Shok” me një storie të thjeshtë dhe rrëqethëse tregon gjithë dhimbjen tonë gjatë luftës.
“Ky film flet për shoqërinë e pafajshme të dy fëmijëve, për botën e tyre në periudhën më të vështirë që e kemi përjetuar”, ka thënë Zharku, sipas të cilit, ky tregim është shumë i fuqishëm dhe ka arritur suksese të pafundme në festivale ndërkombëtare.
“Kështu që, shpresojmë të shkëlqejë edhe në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve “Oscars’”, është shprehur drejtori i QKK-së. Ai ka treguar se në mbrëmjen kur filmat janë shfaqur në Akademinë e Çmimeve “Oscars” janë pritur mirë nga publiku.
“Dhe për filmin ‘Shok’ janë thënë fjalë të veçanta nga audienca, të cilët kanë ardhur për ta uruar regjisorin Jamie Donoghoue dhe dy aktorët kryesorë, Lum Veseli dhe Andi Bajgora”, ka thënë Arben Zharku për gazetën.
Sipas “Indiewire” filmi “Shok” është pretenduesi për ta fituar çmimin për kategorinë “Live Action Short”. Për “Deadline” pretendues për të fituar në kategorinë “Live Action Short” është filmi “Shok”. Sipas tyre filmi “Shok” do t’i tronditë të gjithë.
Në shkrimin “Kush do të fitojë ‘Oscar’ në kategorinë e filmave të shkurtër”, “SceenCrush” bën një analizë të të gjithë filmave që janë në garë, ka parashikuar se fitues i kësaj kategorie do të jetë filmi “Shok”.
“I vendosur në vendin e shkatërruar nga lufta, temat e rënda, përfundimi tragjik, bëjnë ‘Shok’ të ndihet më shumë si fitues i ‘Oscar’-it”, shkruan“SceenCrush” që ka publikuar dhe një tjetër shkrim në të cilin kryeredaktori, Mike Sampson, dhe redaktorët, Matt Singer e Erin Whitney, kanë bërë listën e fituesve potencialë të çmimeve “Oscars”.
Për kategorinë “Best Live-Action Short Film”, Matt Singer dhe Erin Whitney thonë se do të fitojë “Shok”, ndërsa Mike Sampson fitues e sheh “Ave Maria”.
Duke publikuar fotografinë nga filmi fitues në secilin kategori, në kategorinë e filmave të shkurtë, “ew.com” ka publikuar fotografinë e filmit “Shok”, sipas të cilëve, do të fitojë “Oscar” në kategorinë në të cilën është në garë.
Edhe “yahoo.com” në një shkrim të botuar thotë se në kategorinë e filmave të shkurtër do të befasojë “Shok”, i cili do të fitojë çmimin në këtë kategori.
Kjo për shkak të temës që trajton.
Në një nga kafenetë në kryeqytet do të jetë një organizim nga artistët për ta shikuar ceremoninë “Oscars” drejtpërdrejt.
Një tjetër organizim është ai i Komunës së Prishtinës, i cili do të mbahet në “Sallën e Kuqe” në Pallatin e Rinisë.
Diskutime rreth kësaj post