Ndërkohë që kanë kaluar dy javë nga tërmeti i tmerrshëm i datës 26 nëntor, gjurmët e tij janë ende mëse të dukshme në zonat e shkatërruara, të cilat tashmë ngjajnë si një kantier ndërtimi.
Në mesin e Thumanës së shkatërruar që pritet të ringrihet dhe t’i kthehet normalitetit, sot ishte edhe një gazetare franceze, e cila në një prononcim për Report Tv ka treguar se ndodhet aty për të parë nga afër situatën pas tërmetit dhe për të biseduar me banorët e zonës.
Gazetarja shprehet se e sheh tragjedinë në sytë e tyre dhe në dhimbjen për jetët e humbura. Megjithatë shpreson që shteti të bëjë diçka për këta banorë në mënyrë që t’i kthejë shpresën se në këtë vend mund të jetojnë të sigurt.
“Jam gazetare franceze, erdha në këtë vend të shoh si është situata pas dy javësh, si po ja dalin njerëzit. Shoh tragjedinë tek njerëzit. Takova banorë të këtij vendit që kanë humbur fqinjët, shtëpitë e tyre, që kanë humbur gjithçka, që janë të frikësuar, është një situatë e vështirë për ta. Shpresoj të bëhet diçka për njerëzit që të ndjejnë se mund të jetojnë sërish këtu të sigurt”, shprehet gazetarja franceze.
Në Thumanë humbën jetën nën rrënoja 24 persona, ku u shuan familje të tëra, ndërsa tërmeti mori në total 51 jetë shqiptarësh.
Diskutime rreth kësaj post