Protestat e dhunshme vazhduan edhe të mërkuren në mbrëmje për të penguar miratimin nga autoritetet qeveritare të propozimit francez për një kompromis midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë që do t’i hapte rrugën Shkupit për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një incident ka ndodhur në sheshin Skenderbe të Shkupit, ku pati të shtëna me armë zjarri, që nxiti më pas një shkëmbim të ashpër akuzash mes opozitës dhe partive në pushtet.
Kryetari i opozitës VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski tha se ai ishte në shënjestër të një sulmi me armë. Në një konferencë shtypi të mërkurën vonë, ai tha se një person, për të cilin mediat në Shkup kanë raportuar se është nga komuniteti shqiptar i vendit, kishte shtënë me armë, ndonëse rrethanat e këtij incidentin nuk janë ende të sqaruara.
“Një kohë më të gjatë kam marrë njoftime për përpjekje për likuidimin tim dhe sonte ajo revole ishte dashur të më marrë mua në shënjestër. E gjithë kjo është planifikuar nga pushteti sepse polici nuk ishte askund kur personi filloi të hapë zjarr”, tha drejtuesi opozitar, Mickovski.
Policia e ka arrestuar personin që dyshohet se është përfshirë në këtë incident. Forcat speciale kanë ndërhyrë për të shpërndarë grupet e protestuesve në këtë rast.
Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate në pushtet ka ngritur dyshime se VMRO-ja po sajon incidente për të përshkallëzuar konflikte dhe se personi i armatosur, emri i të cilit është Citi Koka, është vëllai i një funksionari të Aleancës për Shqiptarët, për të cilin LSDM thotë se ka bërë fushatë për VMRO-në, përkatësisht për kryetaren e Komunës së Shkupit në zgjedhjet e fundit vendore.
Bashkimi Demokratik për Integrim i dënoi incidentet në protestat, të cilat i quan antievropiane dhe të nxitura nga elemente proruse.
“Incidenti midis aktivistëve të VMRO-së, Levicës (E Majta) dhe Aleancës (për Shqiptarët) nuk ka se si mos të konsiderohet i paramenduar dhe i planifikuar nga ky koalicion pasi që protagonistë ishin pikërisht këto tre parti dhe përkrahësit e tyre”, thuhet në një komunikatë të BDI-së.
Ndërkohë, Hristijan Mickovski në një mesazh për shqiptarët thekson se “kjo betejë është e përbashkët”, ndërsa kujtoi bashkëpunimin e dy popujve në histori.
Protesta të dhunshme pati edhe para parlamentit të Maqedonisë së Veriut, ku u hodhën gurë dhe mjete piroteknike. Autoritetet thonë se dy pjesëtarë të policisë kanë marrë lëndime. Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe E Majta vazhdojnë të bëjnë thirrje për protesta të përditshme dhe me pjesëmarrje dhe madhe.
Diskutime rreth kësaj post