Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikon seriozisht kapitullimin. Djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit që lamë pas, duket se po dëmton më tepër partinë e Monika Kryemadhit, krahasuar me Partinë Demokratike.
Sipas informacioneve, mësohet se shumë anëtarë të LSI kanë braktisur këtë parti, duke iu bashkuar Partisë Socialiste dhe PD-së. Por duket se ky eksod dhe sidomos shkrirja e partisë, ka alarmuar tej mase kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
Ditët e fundit, LSI ka zhvilluar një sërë mbledhjesh me strukturat, ku në qendër të diskutimeve ka qenë aksioni opozitar, axhenda e partisë, si dhe inventarizimi i anëtarësisë së kësaj partie. Në të gjitha këto takime, ka rënë sy fakti se Kryemadhi apo zyrtarë të kësaj partie kanë bërë thirrje për hapjen e partisë dhe thithjen e sa më shumë të rinjve pranë këtij subjekti politik.
Mirëpo, thirrjet e kësaj natyre, nuk kanë munguar edhe dje. Ka qenë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila në takimin e zhvilluar me strukturat e partisë që drejton në Elbasan, u shpreh dje se ka shumë njerëz të zhgënjyer dhe se dyert e LSI-së janë të hapura për të gjithë.
“Ne duhet të trokasim në dyert e tyre për t’ju zgjuar ndjenjën, për ti thënë përfshihuni, për tu thënë merrni fatet në dorën tuaj, mos ia lini në dorë partive politike të cilat bëjnë propagandë, por merrni fatet tuaj në dorë dhe drejtoni jetën tuaj, drejtoni të ardhmen tuaj, prandaj edhe ne sot si LSI kemi filluar fushatën dhe do ta vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë, hapjen e dyerve të LSI-së, për ti vënë në dispozicion investimin e të gjithë atyre burrave dhe grave që kanë themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim, për t’iu vënë në dispozicion të gjithë atë investim të 5 brezave të Lëvizjes Rinore për Integrim, për t’iu vënë këtë investim në funksion të rinjve dhe të rejave, pedagogë dhe pedagoge, intelektualë, mjekë dhe ekonomiste, për të ardhur dhe për ta ndryshuar këtë realitet politik”, deklaroi ajo.
Më tutje, zonja Kryemadhi thumboi edhe kryedemokratin Basha, kur theksoi se vendit sot nuk i duhet një tjetër marrëveshje politike, por një pakt kombëtar për realizimin e reformave kryesore.
“Shqipërisë i duhet t’i sigurohet hapja e negociatave. Nëse merr vendi një tjetër jo, atëherë e ardhmja vihet në diskutim për shkak të shpopullimit masiv që do të ndodhë, duhet pak kombëtar, jo marrëveshje politike, por pakt që ka të bëjë me reformat kryesore të vendit”, nënvizoi Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post