Një tjetër rast i trafikimit të lëndëve narkotike është goditur ditën e sotme nga policia e Shkodrës.
Siç bëhet e ditur nga policia, në afërsi të Pikës Kufitare Hani i Hotit, në vendin e quajtur Lapidari Ushtarit, Malësi e Madhe, shërbimet e policisë kanë konstatuar një person që po transportonte lëndë narkotike në drejtim të kufirit me Malin e Zi.
Shërbimet e Policisë Kufitare janë vënë në ndjekje të tij ku nga krehja e zonës përreth u bë e mundur kapja dhe arrestimi i personit të dyshuar, shkruan Express.
Mësohet se personi që po tentonte të trafikonte drogë drejt Malit të Zi është 23-vjeçari, Lorenc Rushaj, 23 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe.
Gjatë kontrollit, policia thotë se i janë gjetur dy çanta ku brenda tyre kishte 35 pako me peshë rreth 37 kg lëndë narkotike Cannabis sativa.
Ndërsa, në lidhje me ngjarjen materialet proceduriale, policia ja ka referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike mbetur në tentativë”.
Diskutime rreth kësaj post