Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me banorë të komunitetit çam në Njësinë 3, ku nënvizoi se qytetarët po largohen nga siglat partiake dhe po i bashkohen Partisë Socialiste, në të cilën besojnë se do ta çojë vendin përpara.
Për të konfirmuar këtë argument të tij, Veliaj solli shembullin e Rrogozhinës, ku Partisë Socialiste iu bashkuan 2.500 ish-simpatizantë të PDIU-së. Sipas tij kjo ndodh për shkak se PS punon me transparencë ndaj tyre dhe i jep krah kujtdo që punon me ndershmëri.
“Pavarësisht bindjeve që mund të kemi pasur në të kaluarën edhe në Rrogozhinë për shembull, na janë bashkuar 2.500 vetë nga komuniteti çam, që thonë: E di çfarë? PS punon, me PS ecin gjërat përpara, hajde t’i japim të gjithë një dorë. Si Parti Socialiste, gjërat i kemi bërë me ndershmëri zemre”, u shpreh Veliaj.
Më tej, drejtuesi politik i qarkut Tiranë, tha se ndryshimi midis PS në raport me LSI dhe PDIU ështe se PS punon në favor të qytetarëve, ndërsa të tjerët kundra tyre.
“Ndryshe nga parti si PDIU-ja, që nacionalizmin e përdorin si demagogji, PS-ja veproi me zemër dhe ndershmërisht për çështjen e detit. Është koha për t’i shkuar pas flamurit të partisë, meqenëse ti je çam, do votosh për partinë tonë, kurse ti që ke ardhur nga Skrapari, do votosh për partinë tonë. PDIU edhe LSI, qëllimin e vetëm kanë përdorimin e pushtetit si plaçkë, gjë që e kanë dëshmuar edhe në Bashkinë e Tiranës, kur bllokonin buxhetin e qytetarëve”, u shpreh ai.
Sipas Veliajt, PDIU dhe LSI e përdorin votën e qytetarëve si një plaçkë në interes të vetë dhe nuk janë bërë asnjë punë në favor të popullit, edhe kur kanë patur rastin.
“Kur i kishim këto partitë e vogla në koalicion, nuk bëje dot asnjë punë. Të thoshte, ku është plaçka ime? Bllokohej buxheti në Këshillin Bashkiak se LSI-ja donte një gjë, PDIU-ja diçka tjetër, dhe ti thoshe, po mirë, për të shqyer plaçkën keni ardhur këtu? Apo për të bërë këto 5 punë, që njerëzit të thonë e lanë një gjurmë”, deklaroi Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post