Nisin konfliktet mes LSI dhe PD, në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit. Partia e presidentit, duket se është në të njëjtën linjë me ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi ka kritikuar dje demokratët, sa i takon betejës në KAS. Dy ditë më parë, Berisha doli kundër afrimit të zgjedhjeve në PD, duke kërkuar që fokusi të jetë tek “masakra zgjedhore” e 25 prillit. Për të njëjtën gjë, dje ka folur edhe ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari. Në një intervistë televizive, ai u shpreh se Partia Demokratike është më shumë e fokusuar në procesin e zgjedhjeve brenda partisë, sesa tek beteja e nisur në KAS për zgjedhjet. Braimllari theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim, u braktis në përballjen e drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama.
“Të gjitha energjitë tona janë të fokusuara në zbardhjen e së vërtetës për masakrën e 25 prillit. Ka qenë një masakër e mirë organizuar muaj më parë, duke filluar me përdorimin e administratës publike dhe parave publike. Partia Demokratike, është në një garë të brendshme dhe nuk dua të ndikoj. LSI u la në përballje frontale të drejtpërdrejtë me rilindjen. LSI i përballoi të gjithë kundër të gjithëve. Të tjerët nuk arritën. Zoti Basha dhe PD janë fokusuar në një proces të brendshëm, kurse LSI është fokusuar në zbardhjen e kësaj masakre”, tha Braimllari. Ndër të tjera, ai u shpreh se qeveria kërkon që të heqë vëmendjen nga ajo që ai e cilësoi si “masakra e 25 prillit”, duke kërkuar shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Braimllari theksoi se, LSI do të vazhdojë që t’i shkojë deri në fund betejës së nisur për zgjedhjet.
“Analistët e sponsorizuar drejtpërdrejt nga Edi Rama, duan të heqin vëmendjen nga masakra e 25 prillit, siç është edhe Komisioni i Metës. Pse nuk flasin për masakrën e 25 prillit? Pse nuk e ngre zërin për këtë gjë? Jo të përdoren politikisht për të goditur LSI. Ne jemi në vazhdimësi të procesit. Në qëndruam në bllok dhe LSI është një forcë e sakrificës, që sakrifikon në emër të një marrëveshje dhe të një morali politik”, tha Braimllari.
Partia e Monika Kryemadhit duket se po shkërmoqet totalisht. Beteja në KAS i rezultoi e dështuar dhe nuk po arrin të korrë sukses në asnjë qark. Përveç kësaj, Monika Kryemadhi ka ikur në SHBA dhe nuk po merret fare me partinë duke e braktisur në një farë mënyrë. Që pas disfatës në zgjedhje ajo nuk po reagon më. Nga ana tjetër edhe Meta po qëndron i distancuar. Ndërkohë vetë Braimllari e pranoi dje se PD i ka lënë në baltë në betejën kundër 25 prillit, çka tregon dhe një distancim të PD nga LSI. Teksa LSI është e përqendruar te beteja që ka në KAS, lideri demokrat Basha ka vijuar dje me takimet në kuadër të zgjedhjeve në PD. Ai ishte në Vlorë.
“Kushdo që mendon se me kaq mbaroi, e ka shumë gabim. Kushdo që mendon se demokratët, anembanë Shqipërisë, kanë ndërmend të dorëzohen dhe të pranojnë këtë masakër, e ka shumë gabim dhe nuk ka vend më të mirë për ta thënë këtë se këtu, në mesin e demokratëve të Vlorës, që nuk janë dorëzuar kurrë, as në ditët më të errëta të Vlorës e të këtij vendi. Pavarësisht prej mosmarrëveshjeve apo pakënaqësive që mund të ekzistojnë, duhet të jeni të vetëdijshëm për diçka, barrën e përgjegjësisë që ende rëndon mbi supet tona, të misionit historik të papërmbushur të 25 prillit, para shqiptarëve, para Shqipërisë”, deklaroi ai. Ndër të tjera, Basha u shpreh se kundërshtari politik në zgjedhje bëri sipas tij “masakër zgjedhore”. Ai vijoi më tej duke thënë se PD ishte në atë betejë, për gjithë shqiptarët dhe për ata që donin ndryshimin.
Diskutime rreth kësaj post