Ish-prokurori dhe konstitucionalisti, Shkëlqim Hajdari ka komentuar dje aktualitetin politik në vend, ndërsa e vlerësoi si hap të madh krijimin e Gjykatës Kushtetuese.
Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Hajdari u shpreh besimplotë se brenda janarit Kushtetuesja do të ketë edhe anëtarin e saj të shtatë, ndërkohë që, sipas tij, kjo arritje i faturohet në radhë të parë ndërkombëtarëve e veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shqipëria s’mund të rrinte më gjatë pa Gjykatë Kushtetuese. Gjatë kësaj kohe e panë Kushtetuesen si ndeshje futbolli, u ndanë palët në dy ekipe. Pavarësisht se analistët mendojnë që rezultati është 4 me 3 në favor të një skuadre, rëndësi ka që gjyqtarët të dalin mbi interesat e çastit. SHBA dhe BE kanë investuar për reformën në drejtësi padyshim ambasadorja Kim ishte violina e parë, pastaj vijnë edhe vendet e tjera. Bërja e saj efiçente është një hap i madh, ka para çështje të ankimuara pa u bërë ende funksionale”, deklaroi ai.
Ndërkohë sipas zotit Hajdari, ndër çështjet e para që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim është Kodi Zgjedhor. “Listat u deklaruan të hapura, por nuk janë të hapura, kanë sërish përplasje. Kushtetuta e përcakton që janë të hapura por i lë mundësinë një subjekti që 1/3 ta mbajë të mbyllur, ose 100% të hapur. Kodi Zgjedhor mendoj që do jetë një nga shqyrtimet e para të Gjykatës Kushtetuese, nëse vërteton që ky kod bie ndesh me kushtetutën në 25 prill do kemi garë. Brenda 6 muajsh plotësohet numri 9 i Gjykatës së Lartë, ndërkohë që SPAK ka filluar funksionimin. Fundi i janarit e gjen BKH të plotësuar. 6 mujori i parë që ne mbyllim e gjen vendin me GJK, Gjykatë të Lartë, SPAK dhe Byro Kombëtare të Hetimit që përgatite të dalë në det të hapur për të goditur korrupsionin në Shqipëri”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër i pyetur se kur do të kapen të ashtuquajturit peshq të mëdhenj, Hajdari u përgjigj se kjo varet nga ecuria e demokracisë në Shqipëri. “Kur të ringrihet demokracia. Pas këtyre zgjedhjeve të bëhet temë dite balancimi dhe ndarja e pushteteve jashtë ndikimit të krimit dhe korrupsionit, kur t’i bëjmë KQZ jo me komisione politike, kur në votime të marrin pjesë 50% e shqiptarëve që nuk besojnë, kur gjysma e elektoratit jashtë shtetit të japin votën e tyre, kur të përjashtojmë nga ndikimi i prodhimit të deputetëve segmentet e krimit. Edhe presidenti të zgjidhet nga populli. Do shohësh se atëherë do ketë peshk të bollshëm, do jetë edhe i madh”, nënvizoi Hajdari.
Diskutime rreth kësaj post