Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka shkarkuar dhe emëruar dy drejtues prokurorie të mërkurën, në kundërshtim me ligjin. Kryeprokurorja e Përkohshme, në bazë të dispozitave ligjore, nuk ka mundësi për të kryer shkarkime dhe emërime.
E, megjithatë, Arta Marku ka vendosur shkarkimin e kreut të Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe e zëvendësoi atë me prokuroren Donika Prela. Gjithashtu, po në të njëjtën ditë, ajo ka emëruar si drejtuese të Prokurorisë së Durrësit prokuroren Anita Jella, e cila zuri vendin vakant të krijuar nga transferimi i Donika Prelës.
Ndryshimet, sidomos në Prokurorinë e Përgjithshme, kanë shkaktuar debat të fortë politik. Opozita reagoi menjëherë pas shkarkimit të Besim Hajdarmataj, duke e konsideruar si një lëvizje e urdhëruar nga kryeministri Edi Rama për të rrënuar hetimin e nisur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Por, përballë këtyre kritikave të opozitës, të enjten kanë reaguar drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste. Kryeministri Edi Rama, duke folur shkurtimisht për shkarkimin e Hajdarmataj, ka deklaruar se, përsa kohë kjo lëvizje nuk është kritikuar nga ambasadori amerikan, Donald Lu, atëherë ajo është e rregullt.
Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. I pyetur nga media, ai i është shmangur përgjigjes së drejtëpërdrejtë nëse është apo jo shkelje ligjore shkarkimi i kreut të Prokurorisë për Krime të Rënda.
Balla deklaroi se ambasadori Lu u shpreh se, nga lëvizjet e reja, priste intensifikim të hetimeve të rëndësishme nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Pra, askush, as kryeministri, as kreu i grupit të PS dhe aq më tepër, as ambasadori Donald Lu nuk flasin asnjë fjalë për shkeljet e hapura ligjore të kryera nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Opinioni publik, i cili ka pritshmëri të larta nga Reforma në Drejtësi, po konstaton se, në emër të drejtësisë së re, tolerohet cdo lloj shkeljeje ligjore. Mjafton që këto shkelje të jenë në favor të Edi Ramës.
Diskutime rreth kësaj post