Përjashtimi i Flamur Nokës nga Komisioni i Sigurisë ka ndezur debatet në Partinë Demokratike. Ky vendim është parë si një mesazh për të gjithë deputetët që i kanë dalë në krah ish-kryeministrit Sali Berisha. Për këtë arsye janë hedhur dje në sulm disa prej tyre. Deputetja e PD. Albana Vokshi me anë të një statusi në rrjetin e saj social Facebook u shpreh se liria dhe demokracia janë të vetmet që mund të mbajnë PD në jetë. Sipas saj, bindja e verbër dhe futja në rresht është duke e çuar partinë në një vdekje të sigurtë.
“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memecëria, bindja e verbër dhe futja në rresht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt”, shkroi Vokshi.
Nga ana tjetër edhe deputeti Tritan Shehu, reagoi lidhur me përjashtimin e Nokës. Ai u shpreh se Basha vijon ciklin e ndëshkimeve natën duke rikujtuar edhe përjashtimin e Berishës. Shehu tha se Basha është duke përjashtuar pa pyetur asnjë forum e as Grupin Parlamentar të PD teksa shtoi se Kuvendi Kombëtar është elementi më i domosdoshëm në këtë situatë. Sipas tij, në vend që Basha të rrëzojë Ramën, është duke rrëzuar partinë.
“Vazhdon cikli i ndëshkimeve të natës nga Basha! I dyti, ndëshkim ky, pa asnjë vendim kolegjial, pa u pyetur asnjë forum, as Grupi vetë, i marrë nga Basha në orët e vona! Fill mbas atij për Berishën. Të dyja arbitrare, pa respektuar rregullat, statutin, parimet e demokracisë! Pra realisht të pa vlefshme, nul! Ngjarje këto krejtësisht të gabuara! Në vend që të rrëzojmë Ramën po “rrëzojmë” veten tonë. Një element më shumë ky, që tregon sa i domosdoshëm është Kuvendi i ynë Kombëtar”, u shpreh Shehu.
Po ashtu edhe deputeti demokrat Luan Baçi është shprehur kundër vendimit të Bashës, për përjashtimin e Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë. Deputeti tha se partia nuk është pronë e askujt që të bëjë çfarë të dojë me të. Ai u shpreh se janë forumet ato që vendosin me votë teksa shtoi se presionet, shkarkimet e përjashtimet nuk janë në të mirë të partisë. Sipas tij, armiku i vetëm është kryeministri Edi Rama dhe pavarësisht opinioneve që ndajnë me njëri-tjetrin.
“Kush e ka radhën? Unë? Ju? Ai? Kush? Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, ajo është e dhjetëra mijëra anëtarëve dhe qindra mijëra votuesve dhe simpatizantëve të saj! Për këdo, që nga anëtari më i thjesht dhe deri në majën e piramidës, janë forumet ato që vendosin, është vota e tyre dhe askush tjetër! Shkarkime, përjashtime, presione për mbyllje goje, kurrsesi nuk funksionojnë deri në fund dhe absolutisht nuk janë në të mirë të Partisë Demokratike! Armiku jonë i vetëm dhe i gjithë Shqiptarëve është Edi Rama dhe rilindja e tij, pavarësisht diferencave që kemi me njëri-tjetrin në gjykim dhe opinioneve që ndajmë”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post