Institucioni më i madh arsimor privat në Shqipëri ka ndryshuar pronar pak kohë më parë. Bëhet fjalë për “Turgut Ozal Education” sh.a që ushtron aktivitet që prej vitit 2001 në vendin tonë. Të dhënat e deklaruara nga vetë shoqëria tregojnë se blerësi është BF Cooperatief U.A, një kompani e regjistruar pranë Dhomës Tregtare të Amsterdamit edhe pse emërimet që janë bërë më pas në Këshillat Mbikëqyrës dhe hallkat e tjera të drejtimit tregojnë se zotëruesit janë sërish nga Turqia.
Vlera e shitjes rezulton rreth 10 milionë dollarë, sipas transaksionit të deklaruar në QKB. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit janë deklaruar të dhënat që lidhen me: Depozitimin e vendimit të asamblesë së aksionarëve datë 06.03.2017 për miratimin e tjetërsimit të aksioneve të shoqërisë në favor të shoqerise BF Cooperatief U.A. Depozitimi i procesverbalit të shoqërisë BF Cooperatief U.A për blerje nga shoqeria TURGUT OZAL EDUCATION sha te aksioneve prej 1.13 miliardë lekeve. Aksionerët që kanë shitur kuotat janë Rahmi Tozduman, Davut Hancioglu, Adnan Hosoglu.
Bilanci i Turgut Ozal
“Turgut Ozal Education” është institucioni më i madh arsimor privat në vend, sipas të ardhurave vjetore. Qarkullimi vjetor i institucionit ishte 1.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 14%.
Ndërsa fitimi i tij gati u dhjetëfishua në vitin 2016 në raport me fitimin e vitit 2015. Referuar bilancit të kompanisë fitimi neto i vitit të kaluar ishte 127 milionë lekë ndërkohë që një vit më parë ishte 13.2 milionë lekë.
Në faqen zyrtare të tij kolegji raporton se kolegjet turke u hapën si institucionet e para private në fushën e edukimit në Shqipërinë e viteve ’90, që nisi në vitin 1993 me Kolegjin “Mehmet Akif” në Tiranë. Më pas, do të hapeshin edhe Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër dhe Kolegji “Turgut Ozal” në Tiranë e Durrës.
“Tashmë, çdo vit, në të gjithë provimet e pranimit, marrin pjesë mbi 2000 nxënës. Aktualisht në shkollat tona janë duke ndjekur mësimet mbi 3000 nxënës” thuhet në faqen e Turgut Ozal. /”Monitor”/
Diskutime rreth kësaj post