Porti i Shëngjinit do të shërbejë si qendër pritjeje për refugjatët që mbërrijnë në Itali nga vendet e treta. Marrëveshja u nënshkrua në Romë mes dy kryeministrave, Giorgia Melonit dhe kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama.
Sipas protokollit të bashkëpunimit, kjo qendër pritet të jetë gati Pranverën e vitit që vjen dhe do të trajtojë çdo muaj kërkesat për azil të rreth 3 mijë refugjatëve që mbërrijnë në Lampeduza nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe kanë mbipopulluar ishullin e vogël italian.
I gjithë procesi do të mbështetet financiarisht nga Italia, e cila do të bëjë njëherazi edhe seleksionimin e azilantëve. Ka qenë vetë Kryeministrja italiane gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama e cila sqaroi se vendi i saj do të financojë dy strukturat që do ngrihen për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm.
“Refugjatët, ata që kërkojnë azil do të mbeten në këto territore dhe do të seleksionohen midis atyre që kanë të drejtë dhe jo. Si për numër popullsie refugjatësh kemi një kapacitet prej 3000 persona sipas një regjimi të caktuar. Ky fluks në vit mund të arrijë deri në 36 mijë persona dhe që mund të alternohet si më pak ose më shumë dhe kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatëzanë dhe grupet e tjera vulnerabël. Juridiksioni i këtyre qendrave do të jetë italiane. Në portin e Shëngjinit, Italia do të angazhohet me procedurat e zbarkimit dhe të seleksionimit, do të realizohet një qendër e pritjes dhe të screening dhe do të ketë një strukturë tjetër që janë në vazhdimësi të kësaj strukturës së parë të screening. Pastaj pjesa shqiptare do të merret me gatishmërinë e observimit dhe ky protokoll që firmosim sot ka një kornizë politike dhe juridike të bashkëpunimit tonë”.
Por Kryeministrja italiane la të kuptojë se kjo nuk do të jetë e vetmja qendër që do të trajtojë kërkesat e refugjatëve, të cilët do të sillen nga vendi i saj në Shqipëri.
“Shqipëria do të japë mbështetjen e saj për të përdorur disa zona të vendit të Shqipërisë dhe Italia mund të operojë sipas dhe pjesës ekonomike me financat e Italisë për të bërë këtë lloj seleksionimi”.
Sipas shtypit Italian, teksa në Portin e Shëngjinit, Italia do të kujdeset për procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, në Gjadër do të krijohet një strukturë për procedurat e mëpasshme.
Në krah të homologes italiane, Kryeministri Rama shpjegoi edhe arsyet se përse ra dakort për këtë marrveshje me Italinë, të cilën tha se nuk do ta firmoste për asnjë vend tjetër të Bashkimit Europian.
“Ne nuk do të bënim këtë marrëveshje me asnjë vend tjetër apo shtet të BE-së, me gjithë respektin sepse ka një ndryshim diferencë të madhe, me një ndryshim historik-kulturor dhe gjithashtu emocional që lidh Shqipërinë me Italinë dhe shqiptarët me italianët. Unë nuk besoj që ne nuk do të jemi në gjendje që në vitet që do të vijnë, për të parashikuar dhe vetë ne këtu që mund të kemi përpara, të paguajmë atë borxhin që kemi drejt Italisë, popullit italian dhe institucioneve italiane për atë që kanë bërë për ne nga dita e parë që kemi arritur në brigjet në këtë anë të bregut të detit për të gjetur mbështetje dhe për të pasur një jetë më të mirë. Nëse Italia thërret, Shqipëria përgjigjet”.
Për të treguar që Shqipëria ka kaluar edhe më herët pëmes proceseve të ngjashme, kur aleatët ia kanë kërkuar, Rama solli në vëmendje pritjen e afganëve dhe iranianëve.
“I kemi dhënë mundësinë për të mbijetuar pothuajse mijëra iranianëve. Shqipëria u ka dhënë strehim mijëra vajzave, grave afgane brenda si të thuash, pjesës tonë të aleancës strategjike brenda NATO-s dhe ky është një tregues tjetër”.
Korniza ligjore e kësaj marrëveshjeje është hartuar në bashkëpunim mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Sipas protokollit, nëse refugjatëve të cilët kanë deklaruar vendin e origjinës u refuzohet kërkesa për azil, ata kthehen pas nga janë nisur, ndërsa në rastet kur nuk e kanë deklaruar vendin e origjinës, kthimi do të bëhet në Itali.
Diskutime rreth kësaj post