Në prag të takimi të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë në kuadër të ‘Shengenit ballkanik’, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka deklaruar se kjo është një iniciativë e nxituar për sa kohë Kosova nuk është pjesë e saj.
Në një reagim në faqen zyrtare në Facebook, Kryemadhi rendit gjashtë pyetje të cilat ajo thotë se kërkojnë përgjigje në mënyrë që procesi të jetë transparent, i besueshëm dhe të mos lërë pas ditëhije.
Postimi i plote:
“Mini Schengeni Ballkanik pa Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është jo vetëm një iniciativë e nxituar, por ajo nxit konflikt dhe lë shumë dritëhije pas. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Grenell pak kohë më parë kur theksoi se “Ne besojmë se që kjo nismë të jetë e suksesshme, ajo duhet të përfshijë të gjithë në rajon, përfshirë qeverinë e Kosovës”.
LSI është në mbështetje të çdo marrëveshjeje dhe bashkëpunimi që sjell stabilitet dhe rritje ekonomike, por që ky të jetë një proces i besueshëm ka nevojë emergjente për transparencë. Sot të gjithë ne kërkojmë të dimë:
1.Çfarë është diskutuar mbi këtë marrëveshje?
2.Cilat janë pikat e bashkëpunimit për të cilat është rënë dakord?
3.Përse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja kanë refuzuar të jenë pjesë?
4.Çfarë përfiton dhe çfarë humbet Shqipëria?
5.A garantohet njohja e Kosovës nëpërmjet këtij bashkëpunimi?
6.Çfarë e detyroi Kryeministrin të vraponte drejt kësaj iniciative duke mos marrë parasysh Kosovën?
Nëse Mini Schengeni po përdoret nga Edi Rama për presion ndaj BE, ai duhet ta di mirë se perspektiva evropiane e Shqipërisë është e pazëvendësueshme. Kushtet e Bundestagut janë i vetmi udhërrëfyes që kanë qytetarët shqiptarë. Çdo shfaqje dhe propagandë tjetër vetëm dëmton rrugëtimin evropian të vendit!”, shkruan Kryemadhi. /Opinion
Diskutime rreth kësaj post