Deputeti i ri i opozitës parlamentare Ylli Shehu, në një intervistë për gazetën “Shekulli” tha se shumë shpejt, deputetët e rinj do të formojnë grupin e tyre parlamentar, por po presin që KQZ të mbyllë procesin e zëvendësimeve. Ndër të tjera, Shehu flet edhe për marrëdhëniet me liderët e PD dhe LSI-se, të cilët i fajëson për krizën politike në vend.
Shehu, pse nuk formoheni si grup parlamentar?
Ne kemi pasur takimet dhe diskutimet tona konsultative për këtë çështje. Nuk jemi nxituar pasi të tjerë deputetë të rinj janë duke u futur në Kuvend, qoftë nga LSI qoftë nga PD. KQZ ende nuk e ka përmbyllur procesin e zëvendësimeve, ndaj ne kemi pritur deri më tani në mënyrë që struktura e grupit tonë të ri parlamentar të jetë e plotë dhe të pasqyrohen mendimet edhe të atyre që janë rrugës për në parlament, por procedurat ende nuk kanë mbaruar. Në do të formojmë grupin tonë parlamentar së shpejti, referuar dhe nevojës së shpejtë që duhet të marrim një vendim për pjesëmarrjen ose jo në reformën zgjedhore. Pra, siç jua përshkrova, nuk ka ndonjë mosdakordësi mes nesh, por po presim të jemi sa më të plotë për të marrë një vendim sa më gjithëpërfshirës. Jam i kënaqur që brenda deputetëve të rinj të LSI-së, ka disa kolegë dhe kolege që kanë shprehur ambicien për të ndërtuar një kryesi grupi e për të ecur përpara në përfaqësimin e interesit më të lartë të zgjedhësve tanë.
Opozita jashtë e gjykon fiktive prezencën tuaj në Kuvend. A duhet të ishit duke luftuar për të njëjtën kauzë?
Ne kemi një kauzë të përbashkët: ajo është ndërtimi i Shqipërisë evropiane dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Vetëm se secili nga ne ka zgjedhur rrugë të ndryshme për ta arritur këtë. Shqipëria evropiane nuk ndërtohet në rrugë dhe duke dhunuar institucionet. As me vendime kamikazë të djegies së mandateve dy muaj përpara vendimit evropian për hapjen e negociatave. Ndërsa garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme bëhet me vullnet politik e dialog, dhe jo me nxitjen e konfliktualitetit politik. Rregullat e lojës përmirësohen duke u ulur bashkë dhe duke imponuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, Kodin Penal apo edhe të Kushtetutës për të ngushtuar hapësirat e deformimit të votës së qytetarëve.
Çfarë ju ndan nga opozita jashtë?
Siç jua thashë dhe më sipër, kemi rrugë të ndryshme. Mendoj që zonja Kryemadhi dhe z. Basha po bëjnë një betejë me koeficiente të ulët fitoreje e me kosto të mëdha. Ata po humbasin besimin jo vetëm tek shqiptarët, por edhe tek strukturat e tyre, të cilat nuk po i mbështesin më nga një grumbullim në tjetrin. Mbështetësit e partive po përdoren shesheve, dhe pastaj përfundojnë burgjeve ku lihen në mëshirë të fatit nga ata që i thërrasin në protestë. Ish-deputetët opozitarë shfaqen para gjykatave si mundësi për të dalë vetë në TV, por nuk bëjnë asgjë për të arrestuarit. Nuk ju ofrojnë ndihmë juridike e nuk kujdesen për familjet e tyre. Mes protestuesve kam parë në media fëmijë nën 18 vjeç që nxiten të përdorin lëndë të ndaluara ndaj policisë. Ata rrezikojnë pa e ditur këtë. Kjo është përtej moralit të kapitalit politik.
Si i shikoni zgjedhjet parlamentare te 30 qershorit?
Unë nuk e di nëse do të ketë ose jo zgjedhje. Nuk kam aftësi parashikuese në këtë kolaps politik. E vërteta është që tejzgjatja e krizës politike po rrezikon zgjedhjet, ose më së paku klimën që u paraprin zgjedhjeve. Megjithëkëtë, shqiptarët meritojnë të zgjedhin, mes atyre subjekteve politike apo kandidatëve të pavarur që duan të bëhen pjesë e këtij procesi. Unë uroj vërtetë që deri atëherë të jetë gjetur ura e dialogut dhe shqiptarët të votojnë të qetë për atë që i bind më shumë.
Nëse opozita jashtë parlamentit ju ofron që të bashkoheni në koalicion me të, do pranoni?
Unë mund të bashkëpunoj me këdo që punon për shqiptarët dhe interesin më të lartë të Shqipërisë. Unë nuk e njoh gjuhën e rrugës, por atë të institucionit. Unë nuk kam komplekse të bashkoj fuqitë e mia me këdo që vlerësoj se ndërton dhe jo shkatërron, unë do të jem përherë me ata që në vend të “kazmës”, preferojnë “lopatën”. Opozita jashtë parlamentit për momentin është kapur fort pas bishtit të kazmës që shkatërron, dhe jo pas lopatës që ndërton.
Diskutime rreth kësaj post