Duke u ndalur te deklaratat e kryeministrit Rama, se partitë e vogla janë shantazhuese dhe kërkojnë të marrin peng vendin, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha se asnjë parti e vogël nuk ka pasur rol deciziv në qeverisje apo në institucione të tjera.
“Brenda saj që ka thënë Rama mund të ketë të vërteta, por ju e dini që disa prej atyre partive të vogla o ka krijuar vetë Rama, e mbani mend ju G99, që shumë prej atyre që digjnin kanaçe janë sot në Kuvend dhe janë bërë edhe ministra. Këtu ka parti të vogla, prej 20 vitesh, unë kam LZHK-në, por nuk kam qenë asnjë ditë në pushtet, se shqiptarët nuk na kanë votuar asnjëherë për pushtet.
Ne kemi shërbyer 20 vite për t’u thënë të vërtetën shqiptarëve, partitë e vogla kanë vlerë për të prodhuar edhe ndonjë personazh që thotë të vërtetën. Ka dhe ndonjë budalla që mendon se e keqja shqiptarëve u vjen nga të vegjlit, po i kujtoj Ramës që nuk e trubullojnë ujin partitë e vogla. Unë nuk di që të ketë dalë ndonjë kryeministër apo president nga partitë e vogla. Shqiptarët duhet ti thërrasin mendjes, se nga u vjen e keqja, e vogla mbetet e vogël, dhe dëmi i saj nuk mund të krahasohet asnjëherë me atë që bëjnë të mëdhatë”, – u shpreh Shehi për Fax News.
Shehi tha se ende nuk ka një vendim nëse opozita do të dalë me një listë të përbashkët shumëemërore.
“Do ta gjykojmë sesi do të vendosemi në listat apo jo të PD, duhet të shohim dhe qendrimin që do të mbajë presidenti, pasi ka ende afat dhe mund ta kthejë sërish në Kuvend Kodin Zgjedhor. Ne gjykojmë se Europa ka mbajtur një qëndrim më të rreptë ndaj Ramës, duke qenë se ka dhe më shumë armë në dorë, se Amerika, siç është procesi i negociatave të anëtarësimit. Parvarësisht lobingjeve që ky bën, të gjithë e dinë që ky është zullumqari, që ngatërron jo vendin por edhe Ballkanin”, – u shpreh Shehi.
Diskutime rreth kësaj post