Miratimi i ndryshimeve kushtetuese ka shtuar divergjencat brenda opozitës. Gazeta e tha një ditë më parë se baza e Partisë Demokratike ka kërkuar që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ata të hyjnë me lista më vete dhe të zgjidhen emrat e tyre. Ndërsa aleatët tradicionalë të PD kanë kërkuar që ata të futen në zgjedhje në një listë unike me PD. Një gjë të tillë pohoi ditën e djeshme edhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi.
I kontaktuar nga gazeta “SOT”, Shehi e cilësoi miratimin e ndryshimeve kushtetuese si të gabuara, duke u shprehur se opozita do të vijojë të jetë e bashkuar dhe sipas tij do të dalin me një listë të përbashkët kandidatësh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Kreu i LZHK theksoi se duhet të ketë një tjetër marrëveshje të dakordësuar në Këshillin Politik si ajo e 5 qershorit, ku shtoi se ende nuk ka një qartësi për formulën e koalicioneve dhe hapjen e listave se si do të funksionojnë. Për kreun e LZHK nuk ka terren të duhur për të mbështetur ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Parlamenti.
“Për mua ndryshimet kushtetuese që u miratuan nga Parlamenti janë të gabuara. Ne ende nuk kemi vendosur se si do hyjmë në zgjedhjet e ardhshme. Të përfundojnë një herë diskutimet në Këshillin Politik atëherë do ta gjykojmë. Por ne do ruajmë aleancën e përbashkët, opozita do mbetet e bashkuar. Pra ne po presim të dalë një herë sistemi i kodifikimit, se çfarë ndryshimesh u bënë në Kushtetutë, se njerëzit janë të painformuar. Se si do vazhdojnë marrëveshjet politike me koalicion pa koalicion, me lista 100% apo 30% akoma nuk janë sqaruar. Deri më tani ne jemi që të dalim në një listë me opozitën, por kur të mbarojë sistemi do gjykojmë rrethana të reja dhe do vendosim. Sot nuk ta terren për të mbështetur ndryshimet. Të dalin të bëhen marrëveshjet e reja, që siç u bë në 5 qershor besoj do ketë një 5 shtator atëherë do marrim vendimet se kush na leverdis më mirë”, – u shpreh kreu i LZHK, Dashamir Shehi në reagimin e tij për gazetën “SOT”.
Reagon Nard Ndoka
Por gazeta kontaktoi edhe me kreun e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili në reagimin e tij u shpreh se formula e koalicioneve që do të përdorin është ajo që është sanksionuar në Kodin Zgjedhor dhe në marrëveshjen e dalë nga tryeza e Këshillit Politik në 5 qershor. Për Ndokën, politika në vendin tonë duhet të futet në rrugën e duhur dhe të vijojë punën me konsensus mes palëve, në mënyrë që Shqipëria të marrë dritën jeshile nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave.
“Listat e hapura, janë të pranueshme, mbasi ka dy mundësi, të hapura 100 për qind dhe me 1/3. Formula e koalicioneve është e sanksionuar në Kod Zgjedhor dhe në marrëveshjen e 5 Qershorit. Nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme. Shpresoj që politika të futet në rrjedhën normale, të vazhdojë fryma e konsensusit dhe të marrim një përgjigje pozitive nga Bashkimi Europian për integrimin e vendit”, – u shpreh kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka për gazetën “SOT”. Ndërkohë që pritet që të shihet se si do procedohet në listën emërore të Partisë Demokratike dhe nëse do hyjnë aleatët në të njëjtën listë me opozitën për të siguruar një mandat apo do dalin më vete.
Diskutime rreth kësaj post