Tryeza e reformës zgjedhore ka shkaktuar debate mes palëve opozitare. Janë partitë e tjera opozitare ato që nuk u ulën në tryezë të cilat duken se janë distancuar nga PD. Aleatët e Bashës prej disa ditësh në deklaratat e tyre kanë shprehur një farë distancimi nga Basha.
Ditën e djeshme i ftuar në një studio televizive, kreu i LZHK Dashamir Shehi ka deklaruar se nuk është dakord me propozimin e Bashës për sistemin mazhoritar të cilin ai kërkon. Sipas Shehit sistemi nuk e zgjidh krizën politike dhe krimin ku është e përfshirë mazhoranca. Sakaq sa i takon afatit për përfundimin e reformës, Shehi është shprehur se në këndvështrimin e tij kjo reformë do mund të bëhej edhe më herët. Shehi shtoi se zvarritjet e gjërave në vendin tonë janë kthyer në të zakonshme.
“Të jetë për mua reforma duhet të mbarojë edhe më para se afati i vendosur. Një pjesë të këtyre problemeve ne i kemi diskutuar unë gjykoj që opozita ka gjithë interesin të bëjë presion, sepse shtyrja dhe zvarritja janë kthyer në të zakonshme. Mund të shtyhen komisionet parlamentare, unë s’mbaj mend ndonjë komision që të ketë mbaruar punë brenda afatit, kjo zvarritje nxjerr zgjedhjet e parakohshme të pavlefshme”, – ka deklaruar Shehi.
Kreu i LZHK tha se ai është i gatshëm që të hyjë në zgjedhjet e parakohshme edhe me këtë sistem aktual zgjedhor që kemi. Por sa i takon zgjedhjeve në vitin 2021, Shehi tha se është dakord që të shkohet me një sistem të ri, por nuk përmendi sistemin mazhoritar ashtu sikurse thekson PD. “Unë se di se kush është sistemi më i mirë, principi që kam zgjedhur është ky, nëse në shkëmbim të zgjedhjeve të parakohshme unë do e kapërdija këtë sistem nëse do bëhen zgjedhje të parakohshme, por nëse bëhen zgjedhje në 2021 duhet patjetër sistem tjetër, që të hapim edhe hapësirë për forca të reja politike dhe alternativa të reja. Opozita t’i hyjë debatit të sistemit me këtë reformë, diçka do të ndryshojë besoj”, është shprehur kreu i LZHK.
Më tej ai u pyet nga gazetarja e emisionit në lidhje me shit-blerjen e votës në zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se duhet të ndryshojë lista e votuesve, pasi aty ndodhin manipulime. “Të vërtetën absolute të kësaj se ka askush në dorë, e ne do të krijojmë kushte në terren që ligjet të zbatohen , se ligji edhe sot është i shkruar keq, do të vëzhgojmë financimin e partive, unë jam edhe për pastrimin e listave, emigrantët të votojnë në listë të veçantë, në kemi shumë banorë në lista të votuese më shumë se sa jemi këtu, 1.4 milionë janë potencial për t’u manipuluar në database”, – tha Shehi.
Diskutime rreth kësaj post