Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ka denoncuar aferat korruptive në Portin e Vlorës. Sipas tij, qeveria po prish portin e mallrave në qytetin bregdetar, sepse tokën ku ndodhet porti do t’ia falë ortakëve të kryeministrit për të ndërtuar aty kulla dhe një port turistik jahtesh.
Statusi i plotë i Agron Shehajt
“Mandati i tretë i Edi Ramës po nis ashtu siç përfunduan dy të parët. Me koncesione për klientët e qeverisë, që paguhen shtrenjtë nga qytetarët dhe tjetërsim të pronës publike. Afera e radhës është në Vlorë, përmes një skeme absurde, pa llogjikë ekonomike dhe qartazi korruptive.
Qeveria po prish portin e mallrave në Vlorë sepse tokën ku ndodhet porti do t’ia falë ortakëve të Kryeministrit për të ndërtuar aty kulla dhe një port turistik jahtesh.
Por meqë porti i mallrave po prishet, qeveria do ta ndërtojë me koncesion duke e zhvendosur në zonën e Triportit.
Por sa do paguajnë qytetarët shqiptarë për këtë aferë të qeverisë? E para koncesionarëve të portit turistik do t’u jepet 50 mijë metër tokë shtetërore FALAS në vendin ku sot është porti tregtar. E dyta, qytetarët shqiptarë do të paguajnë nje vlere e parashikuar prej 60 milionë euro për të ndërtuar portin e ri tregtar në Triport.
Pra privatët do të ndërtojnë kulla dhe portin turistik mbi tokë të falur publike në një nga vendet më të mira të Vlorës dhe do fitojnë para. Ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë perreth 60 milionë euro për ndërtimin me koncesion të portit të ri të mallrave në zonën e Triportit.
Tenderi për koncesionin e portit të mallrave është zhvilluar një ditë më parë. Klienti i radhës së qeverisë do të dalë ditët në vijim, duke përmbyllur kështu aferën e radhë, këtë herë me kosto të dyfishtë për qytetarët shqiptarë, të cilëve do u merret toka publike dhe do u ngarkohet fatura prej rreth 60 milionë euro.
Është mëse e drejtë që zona ku ndodhet porti të rikualifikohet dhe modernizohet, por jo nëpërmjet tjetërsimit të pronës publike, pa garë dhe në mënyrë korruptive.
Shqipëria është e varfër sepse është një nga vendet më të korruptuara në Europë. Vetëm një qeveri e pakorruptuar mund të sjellë mundësi dhe mirëqënie për të gjithë, jo vetëm për disa.” shlruan ai.
Diskutime rreth kësaj post