Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të mëkëmbet gradualisht, dhe për këtë shumë e rëndësishme do të jetë shpejtësia e reformave të nisura nga qeveria. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, shefja e misionit të FMN-së për programin me Shqipërinë, Anita Tuladar thotë se ndonëse mekanizmi i Partneritetit Publik Privat sjell mundësi për financime dhe ekspertizën e sektorit privat, autoritetet duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje në parashikimin e rreziqeve që sjellin kontratave të tilla.
Zëri i Amerikës: FMN-ja miratoi këstin e pestë dhe të gjashtë sipas marrëveshjes me Shqipërinë që do të lejojë lëvrimin e 72.4 milion eurove. Cili është vlerësimi juaj për ecurinë ekonomike të Shqipërisë?
Anitha Tuladhar: Siç e dini bordi miratoi këstin e pestë dhe të gjashtë më 17 shkurt. Ai vlerësoi performancën e mirë sipas programit dhe theksoi përparimin e bërë në reformën strukturore. Në veçanti bordi mirëpriti konsolidimin fiskal megjithëse vuri në dukje sfidat në fushën e grumbullimit të taksave. Ka patur gjithashtu përparim në fushën e menaxhimit të financave publike si përmbushja e detyrimeve ndaj bizneseve para afatit. Gjithashtu përparime janë shënuar në reformën në sektorin e energjisë, që ka sjell tashmë të ardhura në buxhet. Bordi theksoi gjithashtu se këto reforma duhet të vazhdojnë në të ardhmen dhe duhet të bëhen përpjekje për të zbatuar strategjinë për të ulur kreditë e këqija pasi kjo është shumë e rëndësishme për të rifilluar kreditimin e ekonomisë. Duhet të bëhen gjithashtu përpjekje për të zbatuar reforma të tjera strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.
Zëri i Amerikës: FMN-ja thotë se “mëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në rrugën e duhur por ekzistojnë rreziqe”. Në se mund të na shtjelloni këto rreziqe?
Anita Tuladhar: Po ne presim që rritja ekonomike do të mëkëmbet gradualisht, por ka rreziqe. Veçanërisht ajo që po ndodh me çmimin e naftës dhe të mallrave, që janë në rënie. Kjo krijon rreziqe për investimet në sektorin e naftës që ka qënë një zë i rëndësishëm i rritjes ekonomike në të kaluarën. Përveç kësaj, janë rreziqet e jashtme. Megjithëse kriza që kulmoi në verë në Greqi është zbutur, ka përsëri rreziqe që mund të vijnë nga Greqia pasi trazirat mund të kthehen përsëri. Në përgjithësi, rritja ekonomike në vendet me rritje të shpejtë ka rënë dhe kjo mund të ndikojë negativisht Shqipërinë, në se do të ketë ndikime nga rritja e ulët ekonomike në Evropë, veçanërisht në Itali dhe Greqi. Nga faktorët e brendshëm, rreziku kryesor është shpejtësia e reformës strukturore. Në se ajo ngadalësohet, do të ndikonte negativisht tek besimi dhe prespektiva e investimeve.
Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar se Shqipëria mund të rrezikojë të mos përmbushë objektivat për borxhin dhe defiçitin në se këto rreziqe materializohen?
Anita Tuladhar: Kemi parë se burimi kryesor i rrezikut në anën fiskale ka qënë mosrealizimi i të ardhurave. Sigurisht që në të ardhmen në se çmimi i naftës vazhdon të bjerë dhe rritja ekonomike do të jetë e ulët, ky do të jetë burimi kryesor i rrezikut për defiçitin fiskal. Por ka edhe faktorë të tjerë që do të ndikonin të ardhurat. Në veçanti ekonomia informale. Një nga arsyet që u dëmtuan të ardhurat ishte mos parashikimi i duhur i sasisë së kthimit të taksave në sistem. Të gjitha këto nxjerrin në pah rëndësinë e përmirësimit të koordinimit mes autoriteteve të taksave dhe forcimit të administrimit të taksave. Kjo është një fushë e rëndësishme ku ne jemi përqëndruar.
Zëri i Amerikës: FMN-ja thotë se “është e rëndësishme të sigurohet që ndikimi i çdo projekti të ri Partneriteti Publik Privat (PPP) në llogaritë fiskale të vlerësohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare.” Shqipëria e ka përdorur shpesh praktikën në fjalë. A mendoni se ka shkak për shqetësim?
Anita Tuladhar: Mekanizmi i partneriteteve të tilla mund të japë mundësi për financime dhe ekspertizën e menaxhimit të sektorit privat. Por vjen gjithashtu me shumë rreziqe fiskale. Dhe kjo varet nga mënyra e ndarjes së rreziqeve gjatë negocimit të kontratave. Ne jemi përqëndruar në nevojën e kapacitetit institucional për të vlerësuar rrezikun dhe tek transparenca e pasqyrimit të këtij rreziku gjatë parashikimit të buxhetit. Kjo është mënyra më e mirë për të kufizuar ndikimin negativ në buxhet të projekteve të tilla. Kemi folur me autoritetet duke saktësuar se rreziqet e partneriteteve të tilla duhet të vlerësohen dhe të regjistrohen sipas standarteve ndërkombëtare të kontabilitetit.
Zëri i Amerikës: Ç’mendoni për projektin e fundit PPP për mbledhjen e faturës e-invoice.
Anita Tuladhar: Për këtë projekt, ne jemi në diskutime me autoritetet në nivel teknik. Ne po i këshillojmë sesi të formulojnë termat e referencave dhe vetë projektin në përgjithësi. Këshilla jonë ka qënë përqëndrimi tek një kornizë moderne e menaxhimit të rrezikut. Kjo do të thotë përdorimi i të dhënave për të analizuar rrezikun dhe mundësia për të ndërmarr auditime. Kjo do të sillte përmirësime në pajtueshmërinë e kontratave. Zhvillimi i kapaciteteve për të mundësuar kryerjen e analizave të tilla duhet të jetë përparësia kryesore dhe vetëm atëhere ky projekty, apo çdo lloj tjetër, mund të shfrytëzojë plotësisht këtë sistem.
Zëri i Amerikës: A e ka administrata e taksave dhe tatimeve kapacitetin për të arritur një gjë të tillë?
Anita Tuladhar: Ekspertët tanë po punojnë nga afër me autoritetet e taksave për të zhvilluar sistemin e teknologjisë dhe për të qënë në gjendje për të përdorur të dhënat për të bërë analizën.
Zëri i Amerikës: A ka Shqipëria një model të qartë zhvillimi? Pritej që rritja e prodhimit dhe eksportet do të ishin elementët kryesorë që do të sillnin rritjen ekonomike. Por siç e dimë eksportetet kanë rënë për shkak të çmimit të naftës dhe faktorëve të tjerë që ju përmendët. Nga do të vijë rritja ekonomike?
Anita Tuladhar: Po sektori i naftës ka qënë faktori kryesor i rritjes ekonomike dhe me rënien e çmimit të naftës ky është një rrezik për të ardhmen. Në aspektin afat-shkurtër ne presim që rritja ekonomike të vijë nga investimet e huaja të drejtpërdrejta në sektorin e energjisë përmes projektit të gazsjellësit trans-adriatik dhe projektit Statkraft për hidrocentrale. Gjithashtu marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në B.E. dhe reformat strukturore që po implementohen përmes këtij procesi është një element i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të zbatohen reformat në drejtësi, ajo e së drejtës së pronës, e zbatimit të ligjit në mënyrë që të mund të krijohet një klimë e favorshme investimesh dhe të nxitet rritja.
Zëri i Amerikës: Shqipëria është përpjekur të kryejë reforma për një kohë të gjatë. FMN-ja ka kërkuar kryerjen e reformave strukturore që thënë thjesht do të thotë ndryshimi i mënyrave të funksionimit të qeverisë. Por ende këto reforma nuk janë materializuar. Cili është mendimi juaj, çfarë nuk ka shkuar mirë?
Anita Tuladhar: Së pari reforma në sektorin e energjisë dhe ajo e pensioneve ishin reforma të rëndësishme. Ndërsa Shqipëria përparon në rrugën e saj të anëtarësimit në B.E., ky është një katalizator i fuqishëm për të nxitur procesin e reformave dhe mendoj se është një mundësi e mirë për të zbatuar këto reforma.
Zëri i Amerikës: FMN-ja thotë se “autoritetet duhet të vazhdojnë me programin e tyre të reformave dhe t’i çojnë më tej duke u bazuar tek përparimi i arritur deri më sot për të rritur potencialin e rritjes ekonomike, ndërkohë që vendi ruan stabilitetin makroekonomik”. Cilat janë reformat kryesore ku duhet të përqëndrohen autoritetet shqiptare?
Anita Tuladhar: Ka dy përparësi kryesore. Njëra është ulja e rrezikut fiskal dhe e dyta është përparimi i axhendës së reformës strukturore. Në aspektin fiskal, siç e dini, borxhi është ende i lartë. Konsolidimi fiskal është përmirësuar dhe ky process duhet të vazhdojë për të siguruar uljen e borxhit. Në të njëjtën kohë reforma e menaxhimit të financave publike duhet të vazhdojë për të kufizuar rreziqet fiskale. Përsa i takon reformës strukturore, siç e përmenda në sektorin e energjisë janë shënuar arritje të rëndësishme por ka vend për të bërë më shumë në këtë fushë. Në veçanti po përqëndrohemi në qeverisjen e korporatave në këtë sektor. Çështja e dytë në aspektin e reformës strukturore është ulja e kredive të këqija. Ky është një element shumë i rëndësishëm për të rigjallëruar kreditimin e ekonomisë.
Zëri i Amerikës: Sa e rëndësishme është zbatimi i këtyre reformave kur ekonomia është e dobët?
Anita Tuladhar: Zbatimi i këtyre reformave tregon angazhimin e fortë për statibitetin makro-ekonomik. Kjo dërgon një mesazh të fuqishëm në tregje, tek donatorët. Për shembull kohët e fundit pati një ngritje të vlerësimit të Shqipërisë nga agjencia Standart and Poor’s që mori parasysh angazhimin e qeverisë për konsolidimin fiskal. Pra zbatimi i këtyre reformave edhe kur situata ekonomike nuk është aq e mirë, dërgon një sinjal të fortë dhe është e rëndësishme për rritjen e besimit dhe për të siguruar stabilitet.
Diskutime rreth kësaj post